Fullani: Rritja e depozitave tregon besimin tek sistemi bankar
Tregu financiar shqiptar është i sigurt. Efektet e krizës nuk po ndihen në këtë treg dhe qytetarët vazhdojnë të kenë besim tek tregu bankar shqiptar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, siguroi dje se sistemi financiar shqiptar është i sigurt, pavarësisht situatës së rënduar botërore. Guvernatori Fullani zhvilloi dje një takim me studentë të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan dhe biznesmenë të këtij rajoni, në ambientet e degës së Bankës Kombëtare Tregtare, në kuadër të një serie takimesh, që synojnë komunikimin për rolin e Bankës së Shqipërisë si dhe për të ndërgjegjësuar publikun për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar. Guvernatori u ndal të theksonte se sistemi bankar është solid dhe qytetarët kanë treguar se kanë besim tek ai, duke rritur depozitat bankare. "I gjithë sistemi funksionon me parametra normalë, duke shprehur efektivitet, likuiditet", - tha Fullani. Ai nënvizoi se "e rëndësishme është që tregjet funksionojnë mirë në Shqipëri", ndërsa shtoi se "sipas një informacioni të fundit, tregjet dhe kryesisht tregu i shkëmbimit të parasë, funksionon normalisht". Fullani tha se "Banka e Shqipërisë vëren se ekziston një stabilitet dhe e rëndësishme është të japim stimujt e ndryshëm ekonomikë që gjithçka të funksionojë në kushte normale". "E rëndësishme është të kuptojmë se sektori bankar po jep ndihmën e tij në zhvillimin ekonomik e të qëndrueshëm të vendit, si dhe të rritet besueshmëria në institucionet bankare. Sot duhet të jetë e qartë se punohet me një sistem bankar të sigurt dhe këtë e tregon dhe fakti se depozitat me fillimin e vitit u kthyen në krahun pozitiv, u rritën", - u shpreh Fullani. Ai siguroi se sistemi bankar do të jetë mjaft i kujdesshëm dhe do të ndikojë në rritjen e besueshmërisë në sistemin bankar në vend. Sipas tij, "rritja e depozitave është rritje e besimit për sistemin, e kredibilitetit të zhvillimit të vendit, e zbatimit të politikave makroekonomike në zhvillim të stabilitetit të vendit, mbajtjen e inflacionit nën kontroll, mbajtjen e stabilitetit financiar nën kontroll dhe njëkohësisht, pozicionin e Shqipërisë ndër vendet që do të preken më pak nga kriza kryesisht në ekonominë reale".
Dhoma Amerikane, forum me administratën doganore
Dhoma Amerikane e Tregtisë organizon sot aktivitetin Forum Biznesi me drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, z. Përparim Dervishi. Takimi do të trajtojë tema me interes dypalësh që kanë lidhje me rritjen e eficiencës së bashkëpunimit mes doganave dhe biznesit, si dhe për disa çështje që shqetësojnë biznesin sot, si çmimet e referencës dhe çmimet e origjinës, kontrolli doganor dhe faturat e blerjes si dhe mbi mënyrën e shlyerjes së detyrimeve doganore. Forum Biznesi është një aktivitet periodik i Dhomës Amerikane të Tregtisë me anë të të cilit synohet që bizneset anëtare të Dhomës të marrin informacion të freskuar mbi të gjitha ndryshimet ligjore dhe teknikat e reja financiare që aplikohen sot. Kjo është një nga format me të cilat AmCham i shërben biznesit të vet anëtar.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private e biznesit e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.
.