E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH nuk ndryshon normën bazë të interesit, e lë në 5.75%



Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë normën bazë të interesit të lekut, duke e lënë atë në nivelin e 5.75 për qind. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e radhës mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend dhe në përfundim të diskutimeve mbi ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se ky vendim do të shërbejë për të ruajtur qëndrueshmërinë e situatës makroekonomike në vend. Sipas BSH-së, ky vendim siguron kontrollin afatgjatë të presioneve inflacioniste brenda intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, ky qëndrim mbështet konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit të sistemit financiar në vend, duke reduktuar luhatshmërinë e treguesve të bilancit të pagesave dhe duke krijuar kushte për një përshtatje më të kontrolluar të agjentëve ekonomikë me kushtet e reja monetare e financiare. Në raportin e miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së, vërehet se treguesit e besimit të biznesit dhe të konsumatorit, shtrëngimi i kushteve të financimit të ekonomisë, ecuria e agregatëve monetarë dhe disa tregues specifikë të performancës fiskale sugjerojnë se edhe ekonomia shqiptare ka njohur një ngadalësim të ritmit të rritjes gjatë tremujorit të parë të vitit, në linjë me zhvillimet në ekonomitë e vendeve të rajonit. Megjithatë, ekuilibrat kryesorë makroekonomikë dhe financiarë të vendit mbeten solidë.

Inflacioni vjetor në muajin prill të vitit 2009 rezultoi 1.9 për qind, duke qenë pranë kufirit të poshtëm të intervalit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Rënia e inflacionit vjetor në katër muajt e parë të vitit është shkaktuar nga dobësimi i presioneve inflacioniste, si nga ana e kostove dhe nga ana e kërkesës. Rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar u reflektua në çmime më të ulëta prodhimi dhe importi.

Aktiviteti tregtar me jashtë ka shënuar rënie të eksporteve dhe të importeve. Megjithatë, deficiti tregtar i vendit vazhdon të mbetet i lartë, duke shënuar madje një zgjerim vjetor prej 4.8 për qind gjatë tremujorit të parë të vitit. Ky zgjerim pasqyron edhe kërkesën e lartë të ekonomisë për mallrat e importit të lidhur kryesisht me projektet e infrastrukturës në vend. Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje këtë tregues, duke vlerësuar implikimet e tij për zhvillimin ekonomik të vendit në një periudhë afatgjatë dhe duke faktorizuar qëndrueshmërinë afatgjatë të pozicionit të jashtëm në vendimmarrjen e saj.

Tremujori i parë 2009, rritet interesi për kredi në lekë

Sipas raportit të BSH-së, në tremujorin e parë të vitit 2009 zgjerimi monetar ka vijuar të ngadalësohet. Krijimi i parasë u mbështet kryesisht nga kreditimi i sektorit privat, si dhe rritja e financimit të sektorit publik, e cila është reflektuar në rritjen e mjeteve të brendshme monetare. Gjatë kësaj periudhe, kredia për ekonominë shënoi ngadalësim të mëtejshëm të ritmit të rritjes. Portofoli i kredisë vazhdon të dominohet nga kreditimi i bizneseve. Ndërkohë që pjesa më e madhe e portofolit të kredisë është në valutë. Gjithsesi, zhvillimet e tremujorit të parë nënvizojnë interesin në rritje të bankave dhe bizneseve për kreditimin në lekë. Gjatë muajit prill, Banka e Shqipërisë ka vijuar të jetë e pranishme në tregun e parasë nëpërmjet injektimit të likuiditetit me repo javore dhe tremujore. Këto duket të kenë ndikuar në rritjen e vëllimeve të shkëmbyera në tregun ndërbankar. Në muajin mars, normat e interesit të depozitave në lekë kanë regjistruar një rritje të lehtë si pasojë e ofertave promocionale të bankave për depozitat afatshkurta, në përgjigje të një konkurrence më të lartë në treg për thithjen e likuiditeteve. Interesi mesatar i peshuar për kreditë e reja në lekë në tremujorin e parë ka qenë relativisht më i lartë, duke ndjekur ecurinë e yield-it të bonove të thesarit dhe kushtet e likuiditetit në sistem. Ecuria e kursit të këmbimit ka vijuar tendencën nënçmuese edhe gjatë muajit prill. Zhvillimet e fundit në kursin e këmbimit nuk kanë lejuar përcjelljen e çmimeve të ulëta në tregjet botërore, në çmimet e konsumit në Shqipëri. Dobësimi i monedhës vendase kundrejt shportës së monedhave kryesore vlerësohet të ketë dhënë një ndikim në

inflacionin e mallrave të tregtueshëm të muajit prill.

BSH miraton blerjen e 40% të aksioneve të shtetit nga Banka Islamike

Banka Islamike ka blerë 40 për qind të aksioneve të qeverisë shqiptare, që kishte në kapitalin e kësaj banke dhe kjo marrëveshje është miratuar nga Banka e Shqipërisë.

BSH miratoi rritjen e pjesëmarrjes influencuese të aksionerit Banka Islamike për Zhvillim, nga 15 për qind në 55 për qind të aksioneve, nëpërmjet blerjes së 40 për qind të aksioneve të Ministrisë së Financave në kapitalin aksioner të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë sh.a. Bazuar në ligjin nr. 9314, datë 11.11.2004 “Për privatizimin e aksioneve, pronë e shtetit shqiptar, të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë”, Ministria e Financave në datë 30 mars 2009 nënshkroi me aksionerin ekzistues, Banka Islamike për Zhvillim, marrëveshjen për shitblerjen e aksioneve në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë, duke përcaktuar edhe kushtet, afatet dhe detyrimet përkatëse mbi bazën e të cilave do të kryhet shitblerja e aksioneve. Nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes influencuese të Bankës Islamike për Zhvillim synohet në fuqizimin e Bankës së Bashkuar të Shqipërisë, gjë që do të ndikojë edhe në futjen e produkteve të reja në treg, si dhe në fuqizimin e politikave dhe shtimin e kapitalit të kësaj banke.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›