E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel; Shqipëria ftohet si vëzhguese në axhendën për drejtësinë kriminale



Kryeprokurorja Ina Rama ka marrë një ftesë nga autoritetet belge, që vendi ynë të ketë statusin e vëzhguesit gjatë presidencës belge, në axhendën për drejtësinë kriminale. Gjithashtu, Kryeprokurorja mori mbështetje për bashkëpunim nga pala belge, si dhe mundësi trajnimi për prokurorët shqiptarë. Të gjitha këto mbështetje, Prokurorja e Përgjithshme i mori pak ditë më parë, gjatë një vizite zyrtare në Bruksel dhe Hagë, me ftesë të autoriteteve të Mbretërisë së Belgjikës. Gjatë vizitës në Belgjikë, ajo dhe delegacioni që e shoqëron, u prit në një takim të veçantë nga ministri federal belg, zoti Stefaan De Clerck. Gjatë këtij takimi, sipas burimeve zyrtare, ministri belg shprehu gjithë mbështetjen e tij për bashkëpunimin midis Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare dhe Prokurorisë Federale belge. Në takimin që znj. Rama pati me Kryeprokurorin Federal të Mbretërisë së Belgjikës, zotin Johan Delmulle, u nënvizua rëndësia e vizitës së parë zyrtare të një kreu të akuzës shqiptare dhe të dy palët ranë dakord për hartimin e një instrumenti ligjor bashkëpunimi për trajnimin e prokurorëve shqiptarë në fusha të specializuara të hetimit të krimit. Gjithashtu, në takim u diskutua vendosja e bashkëpunimit midis Institutit Kombëtar Belg të Magjistraturës me Shkollën shqiptare të Magjistraturës, si dhe vendosjen e pikave të drejtpërdrejta të kontaktit për lehtësimin e ekstradimeve, zbatimit të letër-porosive, si dhe për kryerjen e hetimeve të përbashkëta për çështje që kanë interes për të dyja palët. Në këtë takim, Prokurores së Përgjithshme iu shpreh ftesa e autoriteteve belge, që vendi ynë të marrë pjesë me statusin e vëzhguesit në të gjitha mbledhjet dhe veprimtaritë e axhendës së drejtësisë kriminale përgjatë presidencës së radhës belge të Bashkimit Evropian në vitin 2010, ftesë që u pranua me kënaqësi. Gjatë qëndrimit në Bruksel, zonja Rama u takua dhe zhvilloi bisedime në selinë e Bashkimit Evropian, me drejtorin e Përgjithshëm të Çështjeve të Drejtësisë, zotin Francisco De Fonseca. Gjatë këtij takimi u nënvizua rëndësia thelbësore e përcaktuese që kanë liritë e njeriut, shteti i së drejtës dhe ndarja e pushteteve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndërsa gjatë vizitës në Hagë, znj. Ina Rama u takua dhe zhvilloi bisedime me Presidentin e Eurojust, zotin Jose Luis De Motta, zv.presidenten e Eurojust, Michele Koninsx, si dhe me drejtoreshën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të këtij institucioni, Malci Gabrijelciç. Me përfaqësuesit e lartë të Eurojust u ra dakord për caktimin e një pike kontakti me këtë organizëm dhe me ndërmarrjen e negociatave për nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët midis vendit tonë dhe Eurojust për koordinimin dhe dhënien e asistencës në kryerjen e hetimeve të përbashkëta. Gjatë qëndrimit në Hagë, zonja Ina Rama dhe delegacioni që e shoqëron u takua me përfaqësuesit e prokurorisë së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ku u njoh me funksionimin e saj dhe me çështjet në proces.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›