E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vespa, Berishës: Reformat tuaja ndryshuan Shqipërinë



Gazetari i njohur italian, Bruno Vespa, impresionohet nga zhvillimi i Shqipërisë si dhe vendosmëria e lidershipit dhe qeverisë në ndërmarrjen e reformave të thella, të cilat kanë shndërruar vendin. Ai shprehu vlerësime pozitive për gazetarinë, artin dhe kulturën shqiptare, veçanërisht u ndal në talentin e mjaft artistëve dhe gazetarëve shqiptarë, të cilët ai kishte pasur rastin t’i takonte më parë. Kryeministri Sali Berisha priti dje në zyrën e tij gazetarin Vespa, duke theksuar se e cilësonte një ogur mjaft të mirë që ai fillonte fushatën elektorale, duke takuar një personalitet kaq të njohur të gazetarisë italiane dhe evropiane.

Kryeministri Berisha vlerësoi lart kontributin që z. Vespa ka dhënë në zhvillimin e një gazetarie të standardeve të larta, në mbështetje të mendimit dhe fjalës së lirë dhe përkrahje të së vërtetës. Kryeministri Berisha dhe z. Vespa u ndalën gjatë diskutimit në potencialet e vendit tonë si në turizëm, në energji etj., si dhe në reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe sukseset e tyre. Pas takimit u shtrua një drekë, e cila kaloi në një atmosferë mjaft të ngrohtë e miqësore. Zoti Vespa falënderoi Kryeministrin Berisha për këtë pritje të ngrohtë dhe u shpreh se ndihej mjaft i nderuar që Kryeministri Berisha shtroi një drekë në vilën qeveritare për mikun italian. Bruno Vespa është një nga gazetarët më të njohur dhe të vlerësuar të të gjithë historisë së gazetarisë italiane. Të ngulitura në kujtesën e teleshikuesve kronikat si i dërguar i RAI-t dhe intervistat e tij të famshme në vitet ‘70-‘80, veçanërisht intervista me Kardinalin Karol Wojtyla, Papa i ardhshëm i botës. Fitues i çmimeve më prestigjioze për gazetarinë në Itali dhe gjetkë që në 30 vite 1978-2008, Vespa ka ngelur në arkivat e arta të gazetarisë italiane me telefonatën në transmetim direkt që i është bërë në emisionin e tij nga Papa Gjon Pali i 2-të. Bruno Vespa është autor i shumë librave, disa best-seller për përvojat e tij në gazetari ose historinë e vendit të tij. Për t’u përmendur librat portret historik për personalitetet më të spikatura të politikës italiane si Ciampi, D’Alema, Prodi, Berlusconi etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›