E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH për ekonominë: 2009, vit i vështirë

Kriza ekonomike globale ka goditur buxhetin e emigrantëve shqiptarë dhe efektet negative janë ndjerë edhe në ekonominë shqiptare. Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konstatoi në përfundim të mbledhjes së radhës se dërgesat e emigrantëve për vitin 2009 vlerësohen në rreth 780 milionë euro, duke pësuar një rënie të ndjeshëm prej rreth 53 milionë eurosh në krahasim me vitin 2008. Reduktimi i këtyre financimeve është me pasoja të rënda për mijëra familje në vend që i kanë të ardhurat nga emigrantët burimin e vetëm të jetesës, por edhe për ekonominë, pasi këto dërgesa shërbejnë për të financuar një pjesë të konsiderueshme të deficitit tregtar.
Banka e Shqipërisë evidenton gjithashtu se viti 2009 ka qenë i vështirë për ekonominë tonë. Treguesit e kësaj gjendje janë rënia e të ardhurave të buxhetit që mblidhen në formën e taksave dhe të tatimeve, rënia e investimeve dhe e konsumit si rezultat i reduktimit të financimeve prej sektorit bankar dhe dërgesave nga jashtë, dhe në përgjithësi ngadalësimi i rritjes ekonomike. Institucioni mbikëqyrës bankar vlerëson se informacioni që merret nëpërmjet vrojtimeve konfirmon këtë situatë. Në gjendjen ekonomike të bizneseve, përgjithësisht konstatohet rritja e kapaciteteve të papërdorura dhe rënia e investimeve, si edhe përkeqësim i pritjeve për ecurinë e përgjithshme të ekonomisë.
Por aktiviteti ekonomik i vendit pritet të ngadalësohet edhe gjatë muajve të ardhshëm, me tendencë stabilizimin në pjesën e dytë të vitit. Ka qenë vet5ë guvernatori i bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani që ka bërë këtë parashikim në daljen e fundit publike. Sipas tij, në 6-mujorin e dytë të 2010 pritet rigjallërim i kreditimit, si dhe stabilizim i treguesit të inflacionit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›