E Diel, 1 Nëntor 2026

Produktet e bankave shqiptare, më të shtrenjtat në rajon. Ekspertët: Transparencë me klientin

Bankat shqiptare janë më të shtrenjtat e rajonit. Duke ju referuar një raporti studimor për vitin 2009 të Bankës Botërore, deputeti Selami Xhepa thotë se diferenca mes normave të interesit në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit është së paku 3 pikë përqindjeje më shumë.

“Spredi i normave te interesit me të cilat operon sistemi bankar në Shqipëri në raport me këtë spred në vendet e rajonit rezultonte i disfavorshëm, pra rezultonte me një kosto më të lartë. Shkonte nga 3 pikë përqindje edhe më shumë po ta krahasosh me vende që kanë tregje financiare edhe më të zhvilluara” thotë Xhepa.

Në Bankën e Shqipërisë këtë sjellje të sistemit aspak të favorshme për klientët e lidhin me mungesën e konkurencës reale në treg.

“Ky nivel flet edhe për strukturën e tregut. Në një treg i cili ka një konkurencë të mirë marxhi i interesave duhet të shkojë drejt ngushtimit. Në të kundërt tenton drejt zgjerimit. Ai përcaktohet nga ata lojtarë të tregut të cilët mund të jenë më të mëdhenj dhe të cilët kanë një peshë më të madhe në treg” thotë Klodian Shehu, drejtor i departamentit të stabilitetit financiar në Bankën e Shqipërisë.

Si mbikqyrësit ashtu edhe ekspertët e financave thonë se reagimi i bankave është i pari që mund të ndryshojë situatën. Këtë mund ta bëjnë me transparencën me klientin, negocimin e kredive të këqija, si dhe ulje të normave të interesit për kredinë.

“Gjëja e parë që duhet të bëjnë është transparenca. Ky është objektivi që ka Banka e Shqipërisë. Janë miratuar një sërë aktesh rregullative të cilat kanë në qendër të tyre detyrimin për bankat që të jenë sa më transparente me klientin” thotë Shehu.

“Bankat të rishikojnë drejt zbutjes së normave të interesit për t’ju dhënë më shumë mundësi dhe frymëmarrje sipërmarrjes private dhe nga ana tjetër për të garantuar edhe kthimin e kredive në sistemin bankar” thotë Xhepa.

Sjellja abuzive e bankave e evidentuar dhe në një vëzhgim të ALSAT në sportele ka garantuar për bankat fitime të larta për vetë kushtet e lulëzimit të kredisë në këto vite.

“Po t’i referohemi vitit 2004 gjendja e kredisë në ekonomi ishte më pak se sa 10% të prodhimit të brendshëm dhe e vërteta është që në një peridhë gati 5- vjeçare stoku i kredisë në ekonomi ka arritur në 39% të PBB. Mendoj që është rritja më dinamike që është e përjetuar ndonjëherë nga ndonjë ekonomi” thotë Xhepa.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›