BSH, rregulla të reja për licencimin e subjekteve jo banka
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e tij të fundit miratimin e rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jo banka”. Sipas burimeve të BSH-së, rregullorja “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jo banka” u hartua në zbatim të Ligjit Nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe zëvendëson rregulloren “Për licencimin e subjekteve jo banka”. Në këto ndryshime, përcaktohen veprimtaritë financiare, të cilat në ndryshim nga rregullorja ekzistuese, janë përcaktuar në përputhje me veprimtaritë financiare të përcaktuara në Nenin 54, pika 2, të ligjit të ri “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, duke përjashtuar ato veprimtari ushtrimi i të cilave kërkon praninë e depozitave monetare dhe/ose të fondeve të ripagueshme nga publiku; përfshihet në veprimtaritë e subjekteve edhe veprimtaria e këmbimit valutor, si veprimtari deri më sot jo e lejuar për subjektet financiare jo banka; përcaktohen kërkesat për kapital për të ushtruar qiranë financiare dhe factoring-un në përputhje me nivelet e kërkuara për kapital në ligjet përkatës që rregullojnë këto veprimtari etj.
27 Shkurt 2009