E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Raporti i DASH-it, qeveria “Berisha” duhet të largohet urgjentisht”

Kreu i PS-së komenton raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për problemet në Shqipëri. Rama: “U konfirmuan shqetësimet tona për sistemin e Drejtësisë, mediat, korrupsionin dhe ligjin e dosjeve”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit duke deklaruar se ky raport konfirmon shqetësimet e opozitës dhe shpreh nevojën për largimin emergjent të qeverisë “Berisha”. “Si një njeri që dua mbarëvajtjen e jo të kundërtën për vendin tim, unë jam i hidhëruar për të vërtetat e Raportit të Departamentit të Shtetit, por edhe i bindur se këto të vërteta të hidhura provojnë jo vetëm vërtetësinë e shqetësimeve që opozita ka ngritur gjatë gjithë vitit të fundit, por edhe nevojën ulëritëse për ndryshimin e qeverisë e të qeverisjes”, - tha kreu i PS-së Edi Rama. Ai tha se Raporti është në përputhje me shqetësimet që opozita ka shprehur ndaj përpjekjeve të qeverisë për vënien nën kontroll të institucioneve të pavarura, për ndërhyrjen në hetimet e Gërdecit, për presionet ndaj medias së lirë, korrupsionin, ligjin e dosjeve dhe çështjen e pronave.

“Gërdeci”

Duke komentuar pjesën e raportit të Departamentit të Shtetit për përpjekjet e qeverisë për të kontrolluar institucionet e pavarura, si Gjyqësori e Prokuroria, Rama vlerësoi rolin e opozitës për mbrojtjen e këtyre institucioneve, ndërkohë që tha se, “më 28 qershor këto institucione do të shpëtojnë nga sulmet e bajraktarit në pushtet me votën e shqiptarëve”. Kryetari i Partisë Socialiste foli gjithashtu për çështjen e Gërdecit, ku në raport theksohet ndërhyrja e qeverisë për të penguar hetimet.
Rama tha se Partia Socialiste nuk ka dashur të shfrytëzojë këtë tragjedi për përfitimet e saj politike, ndërkohë që tha se kryeministri Berisha do të struket në zyrën e tij kryeministrore në marshimin paqësor që do të organizojë PS-ja më 15 mars. “Ne nuk bëmë me ‘Gërdecin’ atë që politika e vjetër ka bërë 18 vjet me radhë me tragjeditë e dramat njerëzore duke kërkuar vetëm përfitimin politik të ditës. Ia lamë Drejtësisë të thotë fjalën e saj dhe për 15 marsin që vjen kemi iniciuar një manifestim të madh qytetar, që do të nisë në kraterin e vullkanit të korrupsionit në Gërdec për të kujtuar tragjedinë e tmerrshme dhe do të mbyllet përpara zyrës së kryeministrit në Tiranë për të kërkuar zbardhjen deri në fund të saj”, - deklaroi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Dështimet

Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Rama preku të gjitha dështimet dhe problematikat e shkaktuara nga qeverisja “Berisha” që theksohen në raport, duke shprehur edhe zgjidhjet që ofron Partia Socialiste apo rolin që ajo ka luajtur në përballimin e këtyre problemeve. Duke folur për presionin e qeverisë mbi mediat, Rama tha se PS-ja është përpjekur maksimalisht për të mbrojtur mediat, ndërkohë që tha se në raportin e vitit të ardhshëm nuk do të flitet më as për KKRT e TVSH të politizuar dhe as për sulme e presione të qeverisë së ardhshme mbi median e lirë. Më tej, Rama komentoi atë që thotë raporti për korrupsionin në Shqipëri, i cili, sipas raportit, është bërë pengesë për realizimin e reformave në polici dhe arsim. “Ne do të bëjmë me qeverinë tonë të re reforma rrënjësore që do të luftojnë korrupsionin dhe rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit policor apo të krejt sistemit arsimor”, - deklaroi Rama. Duke folur për çështjen e pronave, kreu i PS-së tha se kryeministri Berisha është sjellë si komunist me ish-pronarët, ndërkohë që premtoi se qeverisja e ardhshme e socialistëve do të inventarizojë pronat. Së fundmi, Rama foli gjithashtu edhe për ligjin e dosjeve, ku në raport shpreheshin të njëjtat kritika dhe shqetësime, të cilat i ka shprehur më parë edhe Partia Socialiste. Ai tha se PS-ja është e gatshme për të kontribuar në realizimin e një ligji që dënon vërtet krimet e komunizmit, të një ligji sipas standardeve europiane.

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›