E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të fundit në indeksin e të drejtës së pronës, De Soto fundos Berishën

Paraqitet indeksi global i së drejtës ndaj pronës. Shqipëria në vendin e 104-t. Raporti u përgatit në bashkëpunim me Institutin e Hernando de Sotos

Edhe në indeksin global e drejta për pronën është në nivelet më skandaloze, ndonëse raporti është përgatitur nga një qendër në Uashington, në partneritet me Hernando de Soton, një prej ish-këshilltarëve të kryeministrit Berisha. Në raportin vjetor Shqipëria listohet në vendin e 104-t, mes 115 vendeve të përfshira në këtë indeks, i përgatitur nga Aleanca e të Drejtave ndaj Pronës, me qendër në Uashington. Publikimi i indeksit është bërë dy ditë më parë në Uashington dhe ka në hyrje edhe një mesazh të përgatitur nga Hernando de Soto, i njohur si një ndër ekspertët e legalizimit të ekonomisë informale. Në krahasim me vitin e kaluar, vendi ynë ka ecur përpara vetëm 1 pikë, dhe 2009-a shënon vitin e dytë të indeksimit të treguesve të të drejtave mbi pronën nga kjo organizatë. Shqipëria, bashkë me Bosnjën, janë të fundit në të gjithë Europën përsa i përket respektimit të të drejtave mbi pronën.

Shqipëria

Indeksi vjetor i së drejtës ndaj pronës e ka listuar Shqipërinë në grupin e vendeve më të prapambetura të botës. Ne hyjmë në grupin e fundit, ku e drejta për pronën është në kufirin poshtë 20%, duke u listuar në një grup me Bosnjën, të vetmin vend në Europë, dhe shtatë të tjera, si: Çadi, Venezuela, Burundi, Zimbabveja, Angola dhe Bangladeshi. Mes 115 vendeve të botës që janë marrë nën vëzhgim, ne renditemi në vendin 104. Brenda një viti ne kemi bërë vetëm një hap, pasi në 2008-n raporti na listoi në vendin 105. Raporti i ndërtuar në tre komponentë: mjedisi politik dhe ligjor, të drejtat fizike të pronës dhe të drejtat e pronësisë intelektuale; ka vlerësuar këto çështje: duke u ndalur në të dhënat e mjedisit politik dhe ligjor, ku futen pavarësia e Gjyqësorit, besimi te gjykatat, korrupsioni dhe stabiliteti politik, Shqipëria renditet në vendin e 91-të. Treguesi më i mirë është ai i stabilitetit politik, ndërsa më i keqi është pavarësia e gjykatave. Në treguesin e të drejtave fizike të pronës janë përfshirë mbrojtja e të drejtave të pronës, regjistrimi i pronës dhe lehtësia në të drejtën për lëshimin e pronës.
Pika më e dobët në Shqipëri ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, ku vendi ynë listohet te 105-a, në mes të 115 shteteve të ndryshme. Treguesi i të drejtave të patentës nuk ekziston për vendin tonë, ndërsa indeksi për vjedhjen e të drejtës së autorit është përmirësuar disi sipas hartuese të raportit vjetor. Sipas të dhënave të nxjerra nga Gjyqësori, Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar mbi 2500 dosje gjatë vitit 2008 për çështje pronash, duke kryesuar natyrën e proceseve gjyqësore.

Indeksi

Indeksi ndërkombëtar i të drejtave ndaj pronës 2009 është një studim krahasues ndërkombëtar që mat treguesit e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe fizike dhe mbrojtjen e tyre për mirëqenie. Për të përfshirë dhe zotëruar aspekte të rëndësishme të lidhura me mbrojtjen e së drejtës mbi pronën, indeksi është fokusuar në tri fusha kryesore: mjedisi ligjor dhe politik; të drejtat e pronësisë fizike dhe të drejtat e pronësisë intelektuale. Studimi aktual analizon të dhënat e 115 shteteve në mbarë botën, që përfaqësojnë 96% të GDP-së së të gjithë botës. Një rëndësi të madhe në matjen e 2009-s, përfshinë të dhënat nga burime të ndryshme të mbrojtjes së pronës fizike, shpesh të siguruara drejtpërdrejt nga vëzhgime brenda vendeve të përfshira në indeks. Shqipëria merr pjesë për herë të dytë në këtë indeks, i cili ka nxjerrë raportin e parë të tij për të drejtat e pronës në vitin 2007. Në vendet e para renditen; Finlanda, me indeksin 8.7 pikë, nga 10 të mundshmet; Holanda, Danimarka, Zelanda e Re, Suedia dhe Gjermania. Shtetet e Bashkuara dhe Britania janë në vendet e 16 dhe 17.

Programi “De Soto”

Në vitin 2007 Aleanca e të Drejtave ndaj Pronës paraqiti për herë të parë Indeksin Ndërkombëtar të të Drejtave ndaj Pronës, i prodhuar nga programi “Hernando de Soto”.
“Thelbi i misionit të programit është të prodhojë indeksin ndërkombëtar të të drejtave të pronës, të cilin unë jam krenar që e paraqes në edicionin e tretë të tij”, - thotë De Soto në mesazhin hyrës. Sipas tij, indeksi 2009 vjen si rezultat i arritjeve gjithëpërfshirëse në krijimin e një parametri ndërkombëtar të të drejtave të pronës private në të gjithë botën. Ai thotë se është i gëzuar të paraqesë indeksin e vitit, që mbulon 115 vende të botës.
Indeksi i këtij viti vazhdon misionet e saj për të edukuar politikanët dhe ekonomistët, sipërmarrësit dhe politikëbërësit për rëndësinë e zhvillimit dhe mbrojtjes së të drejtave të pronës në të gjithë botën”, - thotë De Soto, i cili është president i Institutit për Liri dhe Demokraci.

DHJETË VENDET E PARA

Finlanda
Holanda
Danimarka
Zelanda e Re
Suedia
Gjermania
Norvegjia
Zvicra
Australia
Austria
Islanda

11 VENDET E FUNDIT
Shqipëria
Nigeria
Paraguai
Azerbajxhani
Bosnja
Çadi
Venezuela
Guajana
Burundi
Zimbabve
Angola
Bangladeshi

SHQIPËRIA NË RENDITJEN SIPAS VITEVE

VITI RENDITJA INDEKSI
2009 104 3.5
2008 – 105 3.6
2007 – Nuk ishte përfshirë në indeks

KATEGORIA PIKËT RENDITJA BOTËRORE
Renditja e përgjithshme 3.5 104
Mjedisi politik dhe ligjor 3.6 91
Pavarësia e Gjyqësorit 2.3 100
Besimi te gjykatat 3.6 92
Korrupsioni 3.8 82
Stabiliteti politik 4.5 73

TË DREJTAT FIZIKE TË PRONËS

Mbrojtja e të drejtave të pronës 4.9 86
Regjistrimi i pronës 7.7 60
Lehtësia e aksesit në dhënien hua 3.3 70

TË DREJTAT E PRONËSISË INTELEKTUALE
Mbrojtja e të drejtave të P.I 2.0 105
Forcimi i të drejtave të patentës - -
Vjedhja e të drejtës së autorit © 2.2 73

BE: Shqipëria, progres të kufizuar për të drejtat e pronësisë intelektuale

Edhe Bashkimi Europian ka kritikuar reformat e ndërmarra nga Shqipëria në fushën e së drejtës mbi pronën, veçanërisht në të drejtat e pronësisë intelektuale.
Numri i rasteve të dhunimit të ligjit për të drejtën e autorit, të çuara në gjykatë, është i ulët. Strategjia kombëtare mbi të drejtat e pronësisë intelektuale nuk është përgatitur ende. Ka pasur progres përsa u përket të drejtave të pronësisë industriale. Pirateria dhe falsifikimi mbeten të përhapura. Forcimi vështirësohet nga pamjaftueshmëria e kapacitetit inspektues dhe niveli i ulët i gjobave sipas legjislacionit aktual, plus mungesa e kujdesit të duhur, eksperienca dhe kualifikimet në këtë fushë nga ana e gjykatave. Numri i çështjeve në lidhje me dhunimin e të drejtave të pronësisë industriale që janë dërguar në gjykatë mbetet ende mjaft i ulët. Përpjekje të mëtejshme nevojitet të përmirësojnë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe aftësinë e autoriteteve doganore për dallimin e produkteve të falsifikuara. Niveli i përgjithshëm i kujdesit mbi të drejtat e pronësisë industriale dhe të mirat e tyre është ende i ulët. Në tërësi, përgatitjet në fushat e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe industriale nuk janë shumë të avancuara.

De Soto këshilloi Berishën për legalizimet

Deri para disa kohësh Hernando de Soto ka qenë këshilltar i kryeministrit Berisha për legalizimin e zonave informate. Madje u ngrit një sekretariat pranë Këshillit të Ministrave, i cili është drejtuar nga De Soto deri para një viti, por askush nuk konfirmon faktin se pas qershorit të vitit 2008 vazhdon marrëdhënia. Në qershor të vitit 2007 kryeministri Berisha mori pjesë në prezantimin e raportit për Ekstralegalitetin në Shqipëri, hartuar nga Instituti për Liri dhe Demokraci. Raporti u prezantua nga Hernando de Soto, drejtues i këtij Instituti. Në dokument theksohet se Shqipëria duhet të aktivizojë reforma që ngjallin këtë "kapital të vdekur". Drejtori i Institutit për Liri dhe Demokraci, Hernando de Soto, tha se Shqipëria trashëgoi një sistem ligjor që lë shteg për kaos, abuzim dhe korrupsion dhe se sfida e qeverisë shqiptare është zhdukja e burokracive që i kanë bërë ryshfetet të volitshme nga ana sociale. Raporti final për Ekstralegalitetin në Shqipëri u publikua në muajin tetor të vitit 2007 dhe shërbeu si pikë referimi për ngritjen e Sekretariatit për Legalizimin pranë Këshillit të Ministrave.

Përgatiti: Albert Gjoka

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›