E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Furtunë” tatimore te Tregu Çam, sekuestrohen celularë dhe numra telefoni



Një aksion “blic” i Policisë Tatimore dhe Njësisë së Antikrimit Ekonomik u shënua dje në vendin e njohur si Tregu Çam, pranë Postë-Telekomit në kryeqytet, ndaj shitësve ambulantë, duke kryer valë sekuestrosh. Agjentët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar thanë për mediat se në bashkëpunim me Policinë Tatimore, dega e Tatim Taksave Tiranë, te Posta Shqiptare dhe Tregu Çam, kryen shoqërimin e Kastriot Sh., 21 vjeç, banues në Sauk; Ardian A., 41 vjeç, banues në Sauk; Ermal M., 22 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Sauk. Këtyre personave iu gjetën dhe konfiskuan 6 aparate telefoni celular të tipave të ndryshëm; 83 këllëfë telefoni celular, 89 karikues telefoni celular, 30 kapakë telefoni celular, 31 bateri telefoni celular dhe 19 karta telefoni të kompanive të ndryshme. Pasi u pyetën në cilësinë e personit që kanë dijeni për rrethana të hetimit, shtetasit e mësipërm janë lënë të lirë. Por sendet e sekuestruara i kaluan për kompetencë degës së Tatim Taksave Tiranë.

Tregtimi i elektro-shtëpiakeve, malli me etiketë dhe për energjinë e harxhuar

Pajisjet elektro-shtëpiake që do të blejmë tash e tutje do të shoqërohen me një etiketë, ku të jetë përcaktuar sasia e energjisë që harxhojnë. Qeveria ka miratuar vendimin që përcakton treguesit e konsumit të energjisë dhe të burimeve të tjera nga pajisjet për përdorim shtëpiak, nëpërmjet etiketimit dhe informacionit standard të produkteve. Ky ligj përcakton detyrimet për publikimin e informacionit të konsumimit të energjisë dhe të burimeve të tjera kryesore, veçanërisht nëpërmjet mënyrave të etiketimit e të informacionit për produktin, si dhe informacionit plotësues për disa tipa pajisjesh për përdorim shtëpiak, duke i mundësuar konsumatorit zgjedhjen e pajisjeve për përdorim shtëpiak më eficiente ndaj energjisë. Ky ligj zbatohet për tipat e pajisjeve të mëposhtme për përdorim shtëpiak, edhe në rast se ato shiten për përdorim joshtëpiak: frigorifer, ngrirës dhe kombinimi i tyre, makinë larëse rrobash, makinë tharëse dhe kombinimi i tyre, makinë larëse enësh, furra, pajisje ngrohëse uji dhe pajisje mbajtëse uji të ngrohtë, mjete/pajisje ndriçimi, pajisje me ajër të kondensuar etj.

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›