E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: “Shteti shqiptar po qeveriset si një feud mesjetar”



Kreu i G99-s, Erion Veliaj, ka komentuar deklaratën e djeshme të Bankës Botërore për skandalin e Jalës, si dhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për problemet e shkaktuara nga qeverisja gjatë këtij viti. Duke folur për deklaratën e Bankës Botërore, Veliaj tha se kjo deklaratë bie ndesh me tymnajën që po përpiqet të hedhë qeveria në lidhje me këtë skandal. Veliaj tha se përtej kësaj tymnaje po qartësohet gjithnjë e më shumë që shqiptarët po varfërohen për shkak se po qeverisen nga familja e kryeministrit Berisha. “Përtej tymnajës që qeveria u mundua të krijojë duke nxjerrë ministra e zëdhënës në mbrojtje të oborrit kryeministror, një gjë bëhet e qartë: shteti shqiptar qeveriset si një feud mesjetar, ku kryeministri shpërndan tituj e i jep në administrim territore familjes së tij”, - tha Veliaj. Kreu i G99-ës ka komentuar gjithashtu edhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. “Një raport i Departamentit të Shtetit na ka nxirë edhe një herë faqen në sy të gjithë botës, duke kritikur ndërhyrjen e qeverisë në hetimin e Gërdecit, presionin e saj mbi Prokurorinë në mbrojtje të Fazlliçit, tentativat për të bllokuar hetimin e Rrugës Durrës-Kukës dhe përdorimin e KKRRT-së si mjet presioni dhe ndalues të fjalës së lirë”, - tha Veliaj. Ai deklaroi se ky do të jetë raporti i fundit për këtë qeveri, e cila pas 121 ditësh do të largohet. Kreu i G99-s foli gjithashtu edhe për marshimin e 15 marsit, duke u bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen në këtë protestë. Por Veliaj tha se kjo ftesë nuk vlen për LSI-në, e cila, sipas tij, është larguar nga opozita dhe po bashkëpunon me Berishën.

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›