Inflacioni, BSH-ja, e pafuqishme të ndalë efektet negative prej zhvlerësimit të lekut
Leku po zhvlerësohet me shpejtësi përballë valutave. Kërkesa e kompanive VIP shton nevojën për valutë
Ervin KOÇI
Oferta monetare, ose e thënë ndryshe, qarkullimi i parasë në ekonominë e vendit (kryesisht i valutës), ka rënë ndjeshëm gjatë dy muajve të fundit, përkatësisht gjatë dhjetorit 2008 dhe janarit 2009. Në këtë mënyrë, ekonomia vendase është përballur nga një mungesë e madhe likuiditeti dhe njëkohësisht ka ndjerë edhe mungesën e madhe të valutës. Kjo gjë ka dhënë efektet e saj negative duke e zhvlerësuar lekun përballë valutës së pakët në qarkullim, që po mban një çmim të shtrenjtë, gjë që po shoqërohet edhe me një thellim të inflacionit. Sipas specialistëve të ekonomisë, kërkesa e kompanive të mëdha për valutë (kryesisht për euro), ka bërë që leku të humbë pikë ndjeshëm ndaj euros. Banka e Shqipërisë e ka pranuar këtë fakt në mënyrë të tërthortë, por tërheqja e sasive të mëdha të valutës nga industritë e mëdha të huaja dhe nga projektet e qeverisë që kryhen nga kompani të huaja ka sjellë zhvlerësimin e frikshëm të lekut. Nga ana tjetër, BSH thekson në raportin e saj të fundit se, ndikim ka edhe frika e krijuar për një përkeqësim të mëtejshëm të kursit të këmbimit. Në këtë pikë, BSH konstaton një zhvlerësim të monedhës lek me gati 4.2 për qind, kundrejt dy monedhave kryesore, euros dhe dollarit.
Efektet në ekonomi
Efektet e krizës, të cilat lidhen më së shumti me besimin që kanë konsumatorët, kanë krijuar një medalje me dy anë. Ana e parë lidhet me uljen e çmimeve. Inflacioni në janar shënoi nivelin më të ulët, me 2.1 për qind, falë reduktimit të kostos së atyre mallrave që vijnë nga jashtë. Ana tjetër e medaljes paraqet aspektin negativ: uljen e kreditimit, si pasojë e masave shtrënguese të vetë bankave, edhe pse interesat janë reduktuar. Tendenca në rënie e inflacionit është ndikuar nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, reflektuar dhe në tregun vendas, si dhe nga kushtet e qëndrueshme makroekonomike në vend. Vrojtimet e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve për tremujorin e fundit të vitit 2008 kanë regjistruar një rënie prej 10 pikësh përqindje të treguesit të tendencës ekonomike. Vlera e këtij treguesi pasqyron vlerësimin në rënie të bizneseve për nivelin e prodhimit, punësimit, kërkesës dhe situatës së tyre financiare. Zhvillimet në sektorin e jashtëm tregojnë se në muajt e fundit të vitit 2008 shkëmbimet tregtare u rritën me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Importet kanë ruajtur ritme të larta rritjeje, prej 16 përqindësh, ndërkohë që eksportet kanë shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes, duke ndikuar në thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar.
Mungesa e parasë
Treguesit monetarë paraqesin ngadalësim të ritmeve të rritjes në muajin dhjetor, duke transmetuar sinjale për një ngadalësim të mundshëm të kërkesës për mjete monetare. Ritmi vjetor i rritjes së parasë së gjerë shënoi rënie në nivelin 8 për qind. Portofoli i kredisë shënoi një ngadalësim të ritmeve vjetore në 35%, e ndikuar nga zgjerimi i ulët mujor që shënoi kredia në muajin dhjetor 2008. Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet e fundit në tregun bankar tregojnë për transmetim të dukshëm të vendimit të fundit të politikës monetare, e cila uli me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit. Në muajin shkurt vërehet se interesat për transaksionet njëditore dhe ato njëjavore reflektuan ulje, po ashtu edhe interesat e letrave me vlerë të qeverisë kanë pasqyruar rënie për të gjitha maturitetet. Të dhënat paraprake për depozitat në lekë tregojnë reduktim të normave të interesit, por gjykohet se kjo është e lidhur dhe me përfundimin e disa ofertave promocionale të janarit, veçanërisht për depozitat afatshkurtra.
Kursi i këmbimit, leku mbetet i dobët
Në tregun e brendshëm valutor vihet re se gjatë muajit janar, në terma nominalë efektivë, ecuria e lekut kundrejt shportës së monedhave kryesore ka vazhduar tendencën në kahun rënës. Ndryshimi vjetor i indeksit NEER (kursi nominal efektiv i këmbimit) ka rezultuar në rënie me 4.2 për qind. BSH gjykon se në ecurinë aktuale të kursit të këmbimit ka dhënë ndikim edhe rritja e numrit dhe sasisë së kërkuar nga disa operatorë të veçantë, duke çuar në një përqendrim joracional të kërkesës në këtë periudhë të vitit. Për këtë qëllim, BSH-ja tërheq vëmendjen e të gjithë aktorëve në tregun valutor, përfshirë edhe publikun e gjerë, "për të qenë më racionalë në lidhje me vlerësimin dhe administrimin e rrezikut të kursit të këmbimit”. BSH-ja gjykon se ka ardhur koha që të rritet përdorimi i instrumenteve më komplekse financiare, siç mund të jenë kontratat e së ardhmes.
27 Shkurt 2009