Braçe denoncon rritjen 30% të kostos së rrugës “Rrëshen-Kalimash”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Erion Braçe, u është rikthyer dje sërish deklaratave denoncuese për abuzimet korruptive në segmentin rrugor “Rrëshen-Kalimash”. Braçe akuzoi qeverinë se po i akordon fshehtas 142 milionë euro firmës që po kryen punimet në këtë aks rrugor, ndërkohë që e cilësoi si një mekanizëm abuzimi dhe korruptiv financimin në këtë segment.
“Shqetësimi kësaj radhe ka të bëjë me faktin se kompania që ka marrë përsipër të ndërtojë rrugën ‘Rrëshen-Kalimash’ ka kërkuar për herë të dytë nga qeveria shqiptare një shtesë fondesh prej 142 milionë eurosh. Është hera e dytë që kompania ‘Bektel Enka’ po kërkon një shtesë fondesh për këtë segment, pasi ajo e ka bërë një gjë të tillë edhe më 3 prill të vitit 2007, vetëm dy muaj pasi kishte filluar punimet e segmentit rrugor ‘Rrëshen-Kalimash’”, - tha Braçe. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste shprehu shqetësimin e rritjes së kostos në nivel 30%, që do paguhet nga shteti shqiptar për ndërtimin e kësaj rruge. “Vlera shtesë e kërkuar ekzaktësisht është 141 milionë e 973 mijë e 633 euro dhe vlera e kontratës nga 418 milionë euro, arrin në 560 milionë e 307 mijë e 613 euro dhe bashkë me TVSH-në vlera e kontratës e kalon shifrën e 670 milionë eurove”, - vijoi deputeti socialist, i cili tha se është e paligjshme akordimi i këtij fondi, përderisa investimi në këtë segment është nën hetim.
1 Maj 2008