E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH sot miraton rregulloren e re, bankat private, transparencë me ligj për kredimarrësit

Paketa e rregullave synon të mbrojë konsumatorin ndaj produkteve bankare. Masat e transparencës qartësojnë klientët për kreditë dhe depozitat

Ervin Koçi

Banka e Shqipërisë do të miratojë sot një paketë masash transparente, e cila synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe klientëve të bankave private ndaj të gjitha produkteve bankare. E thënë më thjesht, kjo paketë masash synon bërjen sa më transparente të procedurave dhe detyrimeve që një klient i një banke ka në rastin kur ai merr një shërbim ose një kredi nga një bankë. Pika që do të miratojë këtë rregullore në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të jetë projekt-rregullorja “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore për individët”. Me anë të kësaj projekt-rregulloreje, BSH-ja synon që të stabilizojë tregun e kredimarrjeve dhe ta bëjë atë sa më transparent, me qëllim që klienti të njohë përfitimet, por dhe detyrimet që i takojnë, si dhe se sa ai duhet të paguajë për një kredi bankare. Në mbledhjen e sotme do të diskutohet gjithashtu edhe “dokumenti i veprimtarisë bankare dhe financiare, sipas ligjit “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”; projekti “Për miratimin e kërkesës për zvogëlim kapitali të Bankës Italiane të Zhvillimit sh. a.”; informacioni “Mbi propozimet për disa ndryshimeve në ligjin ‘Për sigurimin e depozitave’”; informacioni “Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë dhe në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008”; informacioni “Mbi ecurinë e rezervës valutore dhe të portofolave të investimeve për muajin dhjetor të vitit 2008”.

Si kanë vepruar bankat

Aktualisht, bankat e nivelit të dytë arrijnë të japin deri në 1 milion lekë të rinj kredi, pa qenë nevoja të "bllokosh" pasurinë. Kreditë pa kolateral, ose siç quhen ndryshe kredi konsultore, jepen duke filluar me 50 mijë lekë, kurse interesat i kanë më të larta, deri në 20 për qind. Afati për shlyerjen e tyre nuk i kalon 5 vjet, ndërsa penalizmi për vonesat është mjaft i rëndë. Pavarësisht sanksioneve, bankat nuk kanë mundur të parandalojnë ose të marrin masa ndaj atyre klientëve që kanë marrë kredi duke paraqitur vetëm një mjet identifikimi. Tashmë, me regjistrin e kredive, Banka e Shqipërisë dhe në veçanti sistemi i bankave të nivelit të dytë, e kanë ruajtur më mirë tregun nga rastet abuzive.
Kreditë konsumatore zënë një peshë të vogël në sferën e kreditimit. Por, gjatë këtyre viteve, janë shtuar ndjeshëm kreditë me probleme, ku shumica prej tyre u takojnë kredive konsumatore. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, gjatë vitit të kaluar rreth 6% e totalit të kredive ishin me probleme, ose dy herë më shumë se gjatë vitit 2007. Deri në fillimin e vitit 2008 nuk është dhënë ndonjë alarm përsa u përket kredive të këqija, por tani ka një rritje të ndjeshme. Numri i kreditorëve të këqij është rritur tani edhe për shkak të krizës, pasi qytetarët nuk kanë të ardhura për t’i paguar në kohë këstet.

Transparenca

Menjëherë pas ligjit të ri, që synonte forcimin e masave për sigurimin e kredive që bankat private në Shqipëri jepnin, BSH-ja kërkoi dhe më shumë transparencë për klientin. Këtë BSH-ja ua vuri si detyrim bankave private në vend, të cilat, përveç informimit që duhet t’u bënin klientëve për përfitimet dhe detyrimet, duhet që të afishonin dhe të gjitha normat e interesit të valutave, kursin e tyre, si dhe të llogaritin koston e përqindjes që klienti duhet të paguajë çdo herë që bën derdhjen e këstit. Ky ka qenë thelbi i një rregulloreje të re që ka miratuar Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjatë një prej mbledhjeve të tij të fundit. Rregullorja parashikon kryesisht masa të veçanta për monitorimin e rrezikut nga kredidhënia në monedhë të huaj ose të indeksuar me kurs këmbimi, e cila mund të shfaqë rrezik kryesisht në rastet kur kredimarrësit gjenerojnë të ardhura në monedhë vendase. Kjo masë e BSH-së është në vijimësi të ndryshimeve të marra më parë nga autoriteti qendror bankar ndaj bankave të nivelit të dytë me qëllim reduktimin e rrezikut që mund t'u vijë bankave nga moskthimi i kredive.

BOX////////////////////////////////////
Rregullorja e re, të gjitha bankat detyrohen të informojnë klientët

Të gjitha bankat e nivelit të dytë, që operojnë në vendin tonë, duhet të zbatojnë rregulloren gjatë dhënies së kredive. Ato detyrohen që të realizojnë një llogaritje të normave të interesit me anë të një metodike të caktuar. Ky interes duhet që t’i bëhet i ditur klientit dhe të jetë pjesë e kontratës që duhet të lidhet me bankën. Prandaj klienti duhet të bëjë kujdes edhe gjatë leximit të kontratës. Rregullorja e nxjerrë nga BSH-ja mungonte deri tani për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale bankë-klient (kredimarrës). Për këtë arsye është nxjerrë edhe një rregullore tjetër për marrëveshjet e riblerjes, që pritet të vihet shumë shpejt në funksionim. Klientët e bankave shpesh nuk marrin informacionin e duhur për shkak të mosbërjes transparente nga ana e punonjësve të bankës të kushteve të dhënies së një kredie. Rregullorja parasheh ndryshime në normat mbikëqyrëse për ekspozimet e mëdha në përputhje me përcaktimet e ligjit “Për bankat”. Aty vendosen disa kufizime për kredidhënien e bankës ndaj personave me një marrëdhënie të veçantë me të, bëhen përcaktime të kolateralit, që do të njihet si element zbritës në llogaritjen e këtij ekspozimi, si dhe përjashtohen apo përfshihen në shuma të reduktuara, disa marrëdhënie në aktiv dhe angazhime jashtë bilancit të bankës me persona/klientë ose grup personash/klientësh të lidhur, për qëllime të llogaritjes së ekspozimit të madh. Në rregullore përcaktohen gjithashtu kërkesa mbikëqyrëse e raportuese lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të ekspozimeve të mëdha.

Gati hedhja në qarkullim e kartëmonedhës së re të prerjes 500 Lekë, emetim i vitit ‘07

Në mbështetje të Ligjit Nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me Vendimin nr. 59, datë 26.07.2006, miratoi rishtypjen e kartëmonedhës shqiptare të prerjes 500 Lekë, emetim i vitit 2001. Në zbatim të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë njofton publikun shqiptar se në datën 16 shkurt 2009 do të hidhet në qarkullim kartëmonedha e prerjes 500 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2007. Vendimi i vitit 2006 për rishtypjen e kësaj kartëmonedhe është në përputhje me programet e mëhershme të Bankës së Shqipërisë dhe ka si qëllim modernizimin kartëmonedhës së prerjes 500 Lekë, sipas standardeve më të mira të arritura në fushën e emisionit të parasë. Kartëmonedha e re ka në përbërjen e saj të gjitha elementet bashkëkohore të sigurisë, që përdoren sot në këtë fushë. Hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe i shërben përmirësimit të cilësisë së parasë në qarkullim. Gradualisht, do të tërhiqen nga qarkullimi kartëmonedhat e dëmtuara, duke u zëvendësuar me kartëmonedha të reja. Kartëmonedha e re, e prerjes 500 Lekë, emetim i vitit 2007, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën e prerjes 500 Lekë, emetim i vitit 2001. Por, ndryshe nga emetimi i mëparshëm, ajo do të ketë përforcime të disa elementeve të sigurisë si dhe përmirësime të qëndrueshmërisë ndaj dëmtimit. Në kartëmonedhën e re ndryshojnë elementet e mëposhtëm: 1. firma e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe e drejtorit të Emisionit; 2. viti në trupin e saj do të jetë 2007; 3. shtohet elementi i qosheve të përforcuara; 4. rritet gjerësia e fillit të sigurisë; 5. relievi i kartëmonedhës është më i ndjeshëm në prekje, sidomos tek pjesa e teksteve dhe numrave; 6. kartëmonedha është llakuar për ta mbrojtur nga lagështia. Duke filluar nga data 16 shkurt 2009, kartëmonedha e prerjes 500 Lekë, emetim i vitit 2007, do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerje, të emisioneve të mëparshme.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›