Kriza ekonomike, qeveria pretendon se do ta përballojë pa marrë masa
Qeveria shqiptare shprehet shumë e sigurt se do ta kapërcejë “pa u lagur” krizën ekonomike botërore, që kohët e fundit ka prekur edhe vendet e rajonit tonë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, është deklaruar shumë optimist dje rreth krizës financiare botërore që ka përfshirë shumë vende, por jo Shqipërinë, sipas tij. Gjatë një konference për shtyp, ministri Bode, duke iu referuar muajit janar, e karakterizoi këtë muaj si pozitiv dhe e cilësoi ekonominë shqiptare si në ditët e saj më të mira, dhe jo në ditët e zeza që po përjetojnë ekonomitë e shumë vendeve të botës. Sa u përket masave për t'i bërë ballë një krize të mundshme, Bode theksoi se të tilla janë marrë në tregun e brendshëm financiar. I pyetur rreth kursit valutor, ministri i Financave garantoi se kursi i këmbimit do të stabilizohet. Gjatë analizës së të ardhurave të vitit 2008 ministri i Financave ka thënë se “për vitin 2009 institucioni që ai drejton do të përballojë krizën me sukses, duke bërë që impakti në tregun e brendshëm nga investimet publike të jetë sa më i vogël”. Ai gjithashtu shtoi se janari i këtij viti është mbyllur me sukses. Sa për përpjekjet mbi rrezikun e prekjes nga kriza ekonomike botërore, ministri Bode është shprehur se “në qoftë se arrihet të shlyhet deficiti vjetor dhe borxhi publik, kjo do të thotë se nuk ekziston asnjë problem”. Vitin 2008 ministri Bode e cilësoi si vitin me të ardhurat më të larta në buxhet. Bode tha se të ardhurat për vitin që kaloi janë shpenzuar si më poshtë: 92 milionë lekë për investimet publike, 15 miliardë lekë për huamarrjen e brendshme, 38 miliardë lekë për huamarrjen e jashtme dhe nga buxheti i 2008-s 32 miliardë lekë kanë qenë suficit. Ministri i Financave nuk ka ngurruar që t’u përgjigjet deklaratave të ish-shefit të misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell, sipas të cilit, ekonomia shqiptare në vitin 2009 mund të tkurret edhe nën 3 për qind. “Të mos bëjmë Kasandrën për ekonominë shqiptare. Rënia e mundshme e eksporteve po kompensohet me eksportet e energjisë. Kërkesën do ta mbajmë të lart përmes vëllimit të madh të investimeve publike dhe rritjes së pagave”,- u shpreh Bode. Nën presionin e FMN-së, qeveria u zotua që ta ultë deficitin buxhetor në 4 për qind, si një mesazh sigurie për investitorët e huaj. Por nëse do të vërtetohet skenari i FMN-së për një rritje të ulët, deficiti mund të rezultojë më i lartë dhe kjo, sipas disa ekspertëve, mund të kërkojë zvogëlim të shpenzimeve.
11 Shkurt 2009