Muça: “Dinamos i jap titullin dhe Kupën”
Prezantimi zyrtar i trajnerit të ri të Dinamos, Shkëlqim Muça, nuk pati një sfond 100 për qind rozë. Kjo për shkak të së kaluarës së ish-trajnerit të Tiranës. Një grup jo i vogël i tifozerisë së Dinamos nuk e ka pritur mirë përzgjedhjen e një njeriu nga “kampi i armiqve” të përjetshëm. Sipas tyre, Dinamo ka shkollën e saj të trajnerëve dhe nuk duhej “importuar” një teknik nga rivalët e përjetshëm kryeqytetas.
Shkëlqim Muça, ish-trajner i Besës, u prezantua në orën 15:00 të ditës së hënë në “shtëpinë blu” nga asnjë prej drejtuesve të lartë të 17-herë kampioneve, një ritual që të paktën gjatë këtij sezoni kishte ndodhur dy herë të tjera: në prezantimin e argjentinasit Marcelo Havier Zuleta e më pas me zëvendësuesin me “urgjencë” të tij, kroatin Zlatko Daliç.
Pikërisht këtij të fundit, pas 19 javëve kampionat, Shkëlqim Muça, njeriu që i dha titullin e 23-të kampion Tiranës, i zuri vendin pas largimit të kroatit për shkak të dy humbjeve të dëshpëruara në derbin me Tiranën (2-4) dhe Partizanin (1-0).
Muça, i cili pas largimit nga detyra e sekretarit të Klubit të Futbollit “Tirana” (2007) kishte veshur kostumin e analistit sportiv të “Procesit sportiv” të televizionit “Top Channel”, u shpreh për mediat se kishte parë me kujdes strategjinë e Dinamos, përpara se të pranonte ofertën e presidentit Besnik Sulaj.
Në fakt, si tw vetëlarguarin Zllatko Daliç, ashtu dhe tw afruarin Shkëlqim Muça, i lidh me një “fije magjike” emri i klubi të tretë kryeqytetas: Partizani. Daliç u largua pas humbjes 1-0 me Partizanin (4 shkurt 2009), ndërsa Muça pas humbjes 4-1 të Tiranës po me Partizanin (2 mars 2008).
“Vij te një ekip i madh, që ka objektiva të mëdha e të qarta. Ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar. Nuk i trembem rivalëve dhe jam gati për të nisur sfidën. Dinamo merr pjesë për të arritur majat. Është një grup që mund të fitojë gjithçka”, - u shpreh Muça për mediat e shumta të pranishme. Në fakt, rivalët më të mëdhenj të Dinamos nuk janë askush tjetër po Vllaznia e vendit të parë (ka 8 pikë më shumë se Dinamo) dhe ish-skuadra e Muçës, Tirana, (+7 pikë nga Dinamo).
Ish-trajneri i bardhebluve foli edhe për objektivat sezonale të Dinamos, dy synimet madhore të kampionëve në fuqi. “Kam rënë dakord me stafin për të punuar në grup, pasi vetëm kështu mund të arrijmë objektivat tona për këtë sezon: titullin dhe Kupën e Shqipërisë. Dinamo ka lojtarë të mirë dhe drejtuesit e klubit janë korrekt. Dua ta rikthej Dinamon te sukseset”.
Drejtuesit e Dinamos, me kërkesë edhe të vetë Muçës, rikonfirmuan si ndihmëstrajnerë Artan Mërgjyshin dhe Ilir Bozhiqin. Sfida e parë e Shkëlqim Muçës si trajner i Dinamos do të jetë ajo kundër Apolonisë. Skuadra fierake vjen në përballjen me bluve pas katër fitoreve rresht, çka do ta ishte një sfidë aspak e lehtë e bluve, për më tepër që Apolonia ka në stol një strateg si Esad Karishik.
Trajnerët e Superiores
SEZONI 2008 - 2009
DINAMO
Zlatko Daliç jep dorëheqjen në javën e 19-të. Në javën e 20-të vjen Shkëlqim Muça.
PARTIZANI
Hasan Lika dha dorëheqjen në javën e 8-të. Në javën e 9-të u caktua Shpëtim Duro.
BESA
Iljaz Haxhiaj dha dorëheqjen në javën e 3-të. Në javën e 4-t u caktua Ilir Daja.
ELBASANI
Mirel Josa, Bordi Drejtues e shkarkon pas javës së 19-të. Në javën e 20-të erdhi Faruk Sejdini
SHKUMBINI
Gugash Magani
TIRANA
Blazh Slishkoviç dha dorëheqjen në javën e 14-të. Në javën e 15-të erdhi Agustin Kola.
VLLAZNIA
Agim Canaj
FLAMURTARI
Slavko Kovaçiç dha dorëheqjen në javën e 9-të). Në javën e 10-të erdhi Edmond Liçaj. Në javën e 18-të u largua duke akuzuar për shitjen e ndeshjes me Apoloninë. Në javën e 19-të erdhi Eqerem Memushi.
TEUTA
Sulejman Starova
BYLIS
Faruk Sejdini dha dorëheqjen në javën e 3-të. Në javën e 4-t, skuadrën e drejtoi Dashnor Dume. Në javën e 5-të erdhi Hysen Dedja.
APOLONIA
Gerti Haxhiu dha dorëheqjen në javën e 9-të. Në javën e 10-të erdhi serbi Esad Karishik.
LUSHNJA
Artan Bano dha dorëheqjen në javën e parw. Në javën e dytë u caktua Saimir Malko (dha dorëheqjen në javën e 8-të). Në javën e 9-të u caktua Vasil Bici (U largua në javën e 17-të, në janar 2009 shkoi drejtor i sporteve në MTKRS). Erdhi Ilir Gjyla në javën e 18-të.
NË 12 SKUADRAT, NË TËRËSI KANË DREJTUAR 23 TRAJNERË
Nuk i kanë ndryshuar trajnerët:
1. Vllaznia
2. Shkumbini
3. Teuta
I kanë ndryshuar trajnerët:
1. Partizani 2 herë
2. Besa 2 herë
3. Tirana 2 herë
4. Apolonia 2 herë
5. Dinamo 2 herë
6. Elbasani 2 herë
7. Flamurtari 3 herë
8. Bylis 3 herë
9. Lushnja 4 herë
10 Shkurt 2009