E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH tregtia ne janar-qeshor ze 35.2 te totalit te kredive

Tregtia është sektori që ka marrë më tepër kredi nga bankat në gjysmën e parë të viti 2012. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, kredia për biznesin në tërësi është rritur me 2.7% në fund të qershorit në raport me dhjetorin 2011. Por brenda këtij treguesi vetëm  huaja për tregtinë u zgjerua me 9%. Pra, pothuajse e gjithë shtesa e kredisë në gjashtë muajt e parë të vitit ka shkuar për tregtinë, duke bërë që ky sektor të zërë  peshën më të madhe në portofolin e kredive bankare, me 35.2% të totalit.
Për të njëjtën periudhë ka shënuar rënie stoku i huasë për bujqësisë dhe peshkimin me 11% dhe 7% përkatësisht, ndonëse pesha që ato zënë në stokun e kredisë së bankave është mjaft e ulët, diku rreth 1%.
Mungesa e investimeve në ekonomi reflektohet dhe nga kredidhënia e ulët për sektorë të tillë si industria përpunuese, ku stoku i huasë ra me rreth 2% në fund të qershorit në krahasim me fillimin e vitit.
Pozitiv ka qenë qershori për sektorin e ndërtimit, i cili pas një periudhe stanjacioni ka arritur që t’i rrëmbejë bankave më shumë hua në raport me muajt e mëparshëm të 2012-s. Megjithatë, në krahasim me fillimin e vitit, kredia për ndërtuesit është rritur me vetëm 0.4%. Tendencë pozitive ka pasur huaja për arsimin, që është rritur me 21% në raport me dhjetorin 2011.
Kreditimi ka vijuar edhe gjatë viti 2012 të jetë i reduktuar, duke bërë që pak aktivitete të mbështeten me hua. Përgjithësisht, problemi më i madh i kësaj situate qëndron në shtrëngimin e bankave për e dhënien e huave, si pasojë e projekteve jo të besueshme që paraqiten nga bizneset. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›