BSH ul sot normën e interesit për lekun
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pritet të marrë sot vendimin për të ulur normën bazë të interesit për lekun. Një vendim i tillë po merret pas kërkesës së bërë nga bankat e nivelit të dytë. Në fakt, vetë Guvernatori Fullani ka paralajmëruar një vendim të tillë, i cili po merret si pasojë e situatës financiare ndërkombëtare. Aktualisht norma bazë e interesit për lekun është 6.25 për qind. Ndërkohë, si pasojë e krizës globale financiare, Banka Qendrore Amerikane dhe ajo Evropiane e kanë ulur disa herë normën e interesit për dollarin amerikan dhe BQE për euron. Por pavarësisht këtyre masave të ndërmarra nga bankat qendrore, Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, ka thënë se pa një ristrukturim të sistemit bankar nuk mund të ketë rigjallërim ekonomik. Gjatë një forumi të zhvilluar në Universitetin Georgetown të Uashingtonit, ai ka thënë se kriza e tanishme është e veçantë, pasi ajo është globale dhe po prek të gjitha ekonomitë e mëdha të botës. Ai tha se ajo që filloi si një krizë bankare në Shtetet e Bashkuara, u përhap me shpejtësi deri në situatën e tanishme ku në botë nuk ekziston më krediti i nevojshëm dhe ku ekonomitë në Evropë, Azi dhe në kontinentin amerikan po tkurren. "Kjo do të vazhdojë për sa kohë që sektori financiar nuk ristrukturohet, çka do të thotë se në një farë mënyre ai duhet të zvogëlohet dhe një pjesë e tij duhet që thjesht të eliminohet. Duhet të rivendoset besimi, duke pranuar të gjitha humbjet e pësuara nga bankat. Pa u bërë kjo, besimi nuk do të rikthehet" ka thënë ai. Madje, sipas tij "Nëse nuk ka një ristrukturim të sistemit bankar, atëherë të gjitha paratë që do të përdoren për stimulin ekonomik do të përfundojnë në një vrimë të zezë". Me rëndësi thelbësore për ristrukturimin e bankave, tha zoti Strauss-Kahn, është eliminimi i të gjitha kredive të këqija. Ai mbështeti propozimin për krijimin e një banke speciale për absorbimin e miliarda dollarëve kredi të këqija që ndodhen në sistemin bankar amerikan.