Moxhi: Bogdani nuk do të largohet nga Kievo
Nuk ka ditë që të mos ketë një lajm dhe një skuadër që interesohet për Erjon Bogdanin. Atalanta, skuadra e Serisë A italiane, sipas portalit italian Sportal.it, i ka bëri një ofertë sulmuesit shqiptar.
Skuadra bergmaske është duke lëvizur për të gjetur një zëvendësues të një prej lojtarëve më simpatikë të kampionatit italian, Kristian Vieri. Opsioni i parë ishte Stelone, por presidenti i Torinos, Kairo, i hoqi menjëherë sulmuesin e tij nga merkato.
Sipas faqes së njohur sportive italiane Sportal.it, sulmuesi shqiptar nuk ka shfaqur asnjë njëlloj interesimi për ta marrë në konsideratë oferta për ndonjë transferim të mundshëm nga Kievo, me të cilën ka ende kontratë.
Pak ditë më parë ishte Padova e Serisë C1, që shfaqi një interesim të dukshëm për Bogun, por sulmuesi i Kombëtares nuk mund të zbriste dy kategori më poshtë, ndërkohë që dhe pagesa e tij te Kievo është ndër më të lartat në grupin e lojtarëve (rreth 750 mijë euro në sezon).
Edhe menaxheri i Bogdanit, Alesandro Moxhi pohoi se klienti i tij nuk dëshiron të largohet nga klubi aktual. “Bogdani nuk dëshiron të largohet nga Kievo, - tha për Sportal.it prokuratori i tij Alesandro Moxhi. “Kërkesa dhe propozime ka pasur, por nuk kemi trajtuar asnjë prej tyre për momentin dhe lojtari nga ana tjetër nuk dëshiron të lërë Veronën”.
Kievo nënshkroi së fundi me nigerianin Makinua, të marrë me huazim nga Lacio, parë dhe faktin e shterpësisë në vijën e parë, vetëm 13 gola në 20 ndeshje (Bogdani ende nuk ka shënuar këtë sezon). Mesfushori Mikele Markolini me 4 gola është dhe golashënuesi më i mirë i Kievos.
“Fakti që klubi (i Kievos) ka bërë zgjedhje të sakta, duke kërkuar sulmues të tjerë, - shton Moxhi, djali i “Big Luçianos’, - nuk e shqetëson aspak atë (Bogdanin), madje as programin e tij”. 31-vjeçari Bogdani i ka pasur të pakta minutat në 20 ndeshjet e para me Kievon: 9 aktivizime, kur vetëm 3 ndeshje ka luajtur nga minuta e parë (389 minuta në total, ka qene disa jave i demtuar).
Në fakt, Atalanta ndodhet në një pozicion më komod se Kievo në renditjen e kampionatit italian pas 20 javëve të zhvilluara (më shumë se gjysma e sezonit): 27 pikë, Atalanta; 16 pikë Kievo e vendit të parafundit (Seria A kryesohet nga Interi me 46 pikë) dhe Bogdani nëse do të pranonte mund të siguronte të paktën edhe sezonin e ardhshëm në kategorinë maksimale të kampionatit të dytë më të fortë në botë.
Kievo është skuadra e gjashtë e Erjon Bogdanit në Itali, pas aktivizimeve të tij me Rexhinën (klubi i tij i parë), Salernitanën, Veronën, Sienën, Livornon (i huazuar nga Kievo), ku ka arritur të shënojë në total në të gjitha kompeticionet (Seria A e Seria B) 57 gola. Gjatë periudhës së merkatos dimërore u shfaqën disa pista mediatike, ku më të bujshmet ishin ato të Romës e Lacios, ndërkohë që u përmendën edhe klube inferiore si Salernitana e Padova, por dhe Grenobël në Francë.