Vendimi, si do mbyllen pikat e karburantit brenda qyteteve
Fabiola Çela
Pikat e shitjes së gazit dhe të karburanteve, që nuk plotësojnë kriteret e duhura për të shitur këto produkte, do të mbyllen. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria miratoi projektvendimin sipas të cilit nuk do të lejohet më shitja e bombolave të gazit që nuk përmbushin kriteret e duhura të sigurisë për t'u përdorur. Kohët e fundit shitja pa kriter e gazit është bërë shkak për shumë aksidente. Lidhur me këtë, kreu i qeverisë shpreh se ky vendim rrit shkallën e sigurisë në përdorimin e këtyre produkteve në vend. "Ky vendim përbën një bazë të re për sigurinë nga impiantet e shpërndarjes së këtyre lëndëve, përcakton kriteret, detyrimet dhe masat, të cilat rrisin në mënyrë të ndjeshme shkallën e sigurisë", u shpreh Berisha.
Projektvendimi
Në tregun e karburanteve operojnë rreth 120 shoqëri, të cilat kanë marrë nga Ministria e Energjetikës lejen përkatëse për tregtimin e këtyre produkteve. Ndërkohë ka 870 stacione të shitjes së pakicës të karburanteve dhe 110 stacione të shitjes me pakicë të gazit të lëngëzuar të naftës (GNL). Por, sipas kontrollit të ushtruar nga Inspektorati Qendror Teknik, shumë prej pikave të tregtimit me pakicë i shesin këto produkte jashtë çdo lloj kriteri teknik, çka është bërë shkak edhe për shumë aksidente. Përballë një situatë të tillë problematike, qeveria ka miratuar një projektvendim të ri, sipas të cilit do të ngrihet një grup punë i përbashkët, anëtarët e së cilit do të jenë specialistë të Ministrisë së Ekonomisë, Transportit, Ministrisë së Brendshme, nga Inspektorati Qendror Teknik, si dhe nga ai ndërtimor. Ky grup, i përbërë nga këta ekspertë, do të kalojë në sitë të gjithë pikat e tregtimit të karburanteve dhe bombolave të gazit, ku do të evidentojë jo vetëm subjektet që ushtrojnë aktivitet në mënyrë të palicencuar por do të analizojë edhe kushtet në të cilat tregtojnë subjektet që kanë një licencë. Sipas këtij projektvendimi, do të mbyllen të gjitha impiantet që paraqesin rrezik për jetën. Pra qeveria ka parashikuar që të mbyllë të gjitha ato pika tregtimi që nuk plotësojnë kriteret e sigurisë, edhe pse kanë një licencë për ushtrimin e aktivitetit në fushën e karburanteve. Gjithashtu qeveria ka vendosur që të ndalojë importin në formë skrapi të bombolave që shërbejnë për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e gazit të lëngshëm të naftës (GNL). Bombolat e gazit që nuk plotësojnë standardet e sigurisë, do të konfiskohen nga Inspektorati Qendror Teknik.
Karburantet
870 pika tregtimi me pakicë të karburante
110 pika të shitjes me pakicë të GNL-së
141 pika në Tiranë
71 pika në Korçë
82 pika në Durrës
71 pika në Elbasan
150 pika në Fier
58 pika në Lezhë
90 pika në Vlorë
62 pika në Shkodër
43 pika në Berat
30 pika në Dibër
44 pika në Gjirokastër
27 pika në Kukës
Tiranë
51 pika të shitjes së karburanteve
44 pika kanë vërtetim nga IQT
7 pika nuk e kanë
14 pika kanë autorizim
37 pika nuk e kanë
23 pika të shitjes së GNL
12 kanë vërtetim nga IQT
11 pika nuk e kanë
0 autogaz ka autorizim nga pushteti vendor për shitjen e GNL
Alibeaj kundër mbylljes nga qeveria:Vendimi është antikushtetues
Miratimi i një vendimi të tillë për subjektet tregtuese të karburanteve dhe gazit ka ngjallur debat mes Ministrisë së Energjetikës dhe asaj të Drejtësisë. Kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Alibeaj, ka theksuar se baza ligjore e këtij projektvendimi bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë. Por ka reaguar Ministria e Energjetikës, duke analizuar fije për pe çdo nen të Kushtetutës. Ministria e Energjetikës e ka cilësuar si të pabazë vërejtjen e bërë nga ministri Alibeaj mbi këtë projektvendim dhe si i tillë kjo vërejtje nuk është marrë parasysh. Konkretisht, sipas nenit 1 të Kushtetutës së Shqipërisë "Shteti përcakton politikën e zhvillimit të veprimtarive në fushën e përpunimit transportit dhe tregtimit të gazit e naftës, si dhe ushtron funksionin e tij rregullator. Ndërsa në nenin 2 të Kushtetutës, përcaktohet se "Në zbatim të këtij ligji përcaktohet ministria përgjegjëse". Që në këtë rast është ajo e energjetikës. Ndërsa sipas nenit 4 të Kushtetutës së Shqipërisë "Ushtrimi i veprimtarive në këtë fushë pa lejet dhe autorizimet përkatëse quhet e paligjshme". Mbi bazën e këtyre përcaktimeve dhe në bazë të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 7 të kodit të procedurave administrative, për mbrojtjen e interesit publik, Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe nxjerr vendime e udhëzime.