E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet projekti për portin e ri të Vlorës, kushton 1.1 miliardë euro

 

Gati një miliard euro do të investohen për ndërtimin e portit të kontenierëve në pyllin e Sodës në Vlorë. Qeveria ka miratuar dje vendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për ndërtimin e portit të kontenierëve, si dhe për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha tha se për shkak të thellësisë së ujërave të saj, Vlora do të ketë një nga portet më të mëdha të Mesdheut. "Një kompani e madhe britanike tregon interes për të ndërtuar në Vlorë një nga portet më të mëdha të Mesdheut. Vlora është përmendur me qindra e mijëra herë si vendi më i përshtatshëm për portin më të madh të vendit, për shkak të thellësisë së ujërave. Por i takoi qeverisë sonë, që këtë ëndërr ta shndërrojmë në realitet. Vlora do të ketë një nga portet më të mëdha të kontenierëve të Mesdheut. Porti do të jetë në zonën tek pylli i Sodës" u shpreh ai. Vlera në total e këtij projekti arrin në 1,180,454,292 euro, ku vetëm faza e para arrin në 533,208,277 euro. Sipas projektit, ndërtimi i fazës së parë do të kryhet brenda një afati kohor prej 30 muajsh. Ndërkohë që faza totale e ndërtimit arrin në 48 muajsh. Projekti do të financohet tërësisht nga ofertuesi, pa nevojën e garancive dhe fondeve të shtetit. Qeveria shqiptare angazhohet të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës, në mënyrë që porti të ketë komunikim jo vetëm kombëtar por edhe rajonal.

Fazat e ndërtimit

1: Përgatitja e dallgëthyeses 5,050m i gjatë, 2 vende ankorimi (kalata) për  Super Post Panamax dhe 60ha shesh kontenierësh.
2:Përgatitja e 2 vende ankorimi (kalatave) për Post Panamax dhe 70ha shesh kontenierësh.
3: Përgatitja e 1 vendi ankorimi shtesë për Post Panamax dhe 25ha 
shesh kontenierësh.
4: Përgatitja e 2 vendeve ankorimi shtesë për konteinerët Post    
Panamax, 2 vende ankorimi RoRo dhe 10ha shesh kontenierësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›