Izraeli i jep fund armëpushimit në Gaza
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza mori fund. Gjatë ditës së djeshme, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për prishjen e armëpushimit. Ushtria izraelite ka njoftuar se një nga ushtarët e saj është vrarë gjatë një sulmi pranë një pikëkalimi kufitar në Rripin e Gazës, ku një mjet shpërthyes i vendosur në anën izraelite të kufirit, kishte vënë në objektiv një nga patrullat izraelite. Pas kësaj, forcat izraelite pranuan se kishin hapur zjarr, duke vrarë një bujk palestinez. Izraeli vendosi të mbyllë pikëkalimet kufitare me territorin. Palestinezët nga ana tjetër akuzojnë Izraelin se ka futur në territorin palestinez makina të blinduara izraelite, të mbështetura nga ajri me helikopterë luftarakë. Sipas tyre, ishin izraelitët ata që vranë bujkun e pafajshëm palestinez. Hamasi ka fajësuar Izraelin, duke kujtuar se Izraeli shpalli armëpushimin, por njëkohësisht vazhdon agresionin ndaj palestinezëve. Dhuna rinisi ndërkohë që i dërguari i posaçëm i Presidentit Obama për Lindjen e Mesme, Xhorxh Mitçell mbërriti në Kajro për vizitën e parë në rajon. Ai do të zhvillojë bisedime me zyrtarët egjiptianë që kanë negociuar mes Izraelit dhe Hamasit para se të udhëtojë drejt Jerusalemit dhe Ramallahut. Ministrja e Jashtme izraelite, pas vrasjes së ushtarit deklaroi, se përmbajtjes së Izraelit në Gaza i ka ardhur fundi. Ushtria izraelite thotë se sulmi pranë Kissufimit ndjek modelin e militantëve palestinezë të muajve të fundit për të sulmuar në pikëkalimet kufitare mes Izraelit dhe Gazës.