KESH-KEK, marrëveshje për shkëmbimin e energjisë elektrike
Dy korporatat elektroenergjetike shqiptare dhe kosovare do të mbështesin njëra-tjetrën në rast nevojash për furnizim me energji elektrike. Marrëveshja është firmosur nga kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi dhe drejtori i përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK), Remzi Shahini. Ajo konsiston në bashkëpunimin për shkëmbimin e energjisë elektrike. Drejtori Bojaxhi e vlerësoi si të rëndësishme këtë marrëveshje, e cila do të krijojë kushtet e nevojshme për të shfrytëzuar me eficencë të dyja sistemet. Bojaxhi tha se "pavarësisht reshjeve të dendura, jemi në muajin prill dhe nuk është derdhur asnjë pikë ujë nga kaskada". Marrëveshja, e cila parashikon krijimin e kushteve për përmirësimin e kapaciteteve gjeneruese, përmirësimin e furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike dhe cilësinë e punës për të dyja sistemet elektroenergjetike, përcakton principet bazë të bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike, ndihmën emergjente në raste avarish, kushtet bazë për shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike, etj. Kështu, shkëmbimi i energjisë elektrike do të kryhet në kufirin Shqipëri-Kosovë, për të shfrytëzuar tepricat ose mungesat e energjisë elektrike. Shkëmbimi do të regjistrohet në tarifë të lartë (gjatë ditës, nga ora 06:00 deri më 22:00) dhe tarifë të ulët (gjatë natës, nga ora 22:00 deri më 06:00) ndërsa periudha e kthimit të energjisë elektrike përcaktohet me marrëveshje. Sa i përket shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike ndërmjet KEK dhe KESH, një gjë e tillë do të kryhet në bazë të legjislacionit në fuqi (jo më shumë se 4 për qind e totalit vjetor të prodhimit).