E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH vendos sot për ndryshimin e interesit të normës bazë të lekut



Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pritet të diskutojë në mbledhjen e sotme mbi situatën e fundit monetare dhe makroekonomike të vendit dhe të vendosë nëse do t‘i ndryshojë apo jo interesat bazë. Para krerëve të politikës monetare janë disa raporte të rëndësishme për diskutim, përfshirë zhvillimet monetare në vend gjatë muajit shkurt si dhe deklarata "Mbi stabilitetin e sistemit financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008". Raporti mbi stabilitetin përmbledh të gjitha rreziqet e mundshme në ekonomi dhe publikohet dy herë në vit. Norma e interesit bazë në ekonomi në Shqipëri është aktualisht 5.75%. Për herë të fundit u ndryshua më 28 janar kur u ul me 0.5%. Ekspertët e BSH-së duket se janë në dilema të forta mbi atë se çfarë duhet të bëjnë me këtë mekanizëm të rëndësishëm. Ngadalësimi i ekonomisë është pranuar nga të gjithë tashmë, por ulja e mëtejshme e interesit bazë mund të ulë konkurrueshmërinë e lekut me euron dhe dollarin në tregun e brendshëm, gjë që sjell dobësim të monedhës kombëtare. Nga ana tjetër, ulja e interesit të lekut dha vetëm një ndikim të vogël dhe të përkohshëm në interesat e bonove të thesarit. Likuiditeti në tregun e brendshëm mbetet i ulët, sipas ekspertëve, gjë që reflektohet në ofertë të dobët për bono thesari dhe në interesa të larta. Interesat e bonove të thesarit kanë arritur nivelin më të lartë në shumë vjet. Banka e Shqipërisë ka ndihmuar bankat e nivelit të dytë duke pranuar të blejë bonot e tyre të thesarit me të drejta të plota, pavarësisht se janë dorëzuar para maturimit. Fitimet e bankave janë ulur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

Komisioni i Ekonomisë miraton rritjen e nivelit të sigurimit të depozitave

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të martën projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për sigurimin e depozitave’". Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, projektligji synon kompensimin e plotë të depozitave deri në 25 mijë euro, ose shumën e barabartë në monedhën e huaj, në rast falimentimi të bankës. Në projektin e miratuar nga komisioni i Ekonomisë theksohet se "Agjencia kompenson depozitën e siguruar në masën 100 për qind, por jo më shumë se 25 mijë euro. Kompensimi i depozitave fillon menjëherë pasi Agjencia njoftohet me shkrim për ndërhyrjen apo likuidimin vullnetar të bankës". Ndërkohë, janë parashikuar dhe afatet e kompensimit të plotë të shumave, duke mos lejuar shtyrjen e këtij procesi në një afat të tejzgjatur. Sipas ekspertëve, me këtë vendim garantohen rreth 80 për qind të totalit të depozitave në vend, ndërsa p/ligji synon të tërheqë në Shqipëri edhe kursimet e emigrantëve. Në ligjin aktual shuma e garantuar e depozitave është 700 mijë lekë. Rritja e shumës deri në 25 mijë euro e rrit pragun afërsisht me katër herë.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›