E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungon avokati, shtyhet gjyqi ndaj Vasil Bollanos



Vlorë - Seanca e fundit e gjyqit që kishte si të pandehur kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano, është shtyrë. E vendosur për t’u zhvilluar dje, në orën 10:00, ajo nuk ka mundur të realizohet, pasi në sallën e gjyqit nuk është prezantuar avokati mbrojtës i kryebashkiakut Bollano. Petraq Curri duhej të lexonte dje motivacionin e mbrojtjes, pas pretencës së dhënë nga prokurori i çështjes, Sokol Malaj, i cili kërkoi dënimin me 1 vit burg dhe një gjobë prej 5 milionë lekësh. “Tashmë do të jetë mbrojtja që do të thotë fjalën e saj. Dje, avokati Curri nuk u paraqit në sallë dhe kjo bëri që gjyqtari i çështjes ta shtyjë seancën gjyqësore për në datën 7 prill, në orën 15:00, kur edhe parashikohet që të jepet verdikti i gjykatës për Vasil Bollanon”, - u shpreh Malaj. Bollano akuzohet për shpërdorim detyre pas veprimit të urdhëruar prej tij për heqjen e tabelave në aksin rrugor Llogora-Qeparo, me pretendimin se ato duheshin shkruar edhe në greqisht. Për vendosjen e tabelave është organizuar tenderi prej 5.3 milionë lekësh, i zhvilluar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, me objekt vendosjen e sinjalistikës rrugore në aksin rrugor Orikum-Himarë-Sarandë-Butrint. Gjatë punës së saj, kjo firmë fituese e tenderit AGE&CO shpk ka hasur probleme me Policinë Bashkiake të Himarës, e cila nuk ka lejuar vendosjen e tabelave sinjalistike.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›