Hekurudhat, qeveria gati 30 milionë dollarë investime para dhënies me koncesion
Planet për rimëkëmbjen e sektorit më me humbje të ekonomisë. Dy kompani të huaja, gati për marrjen me koncesion të hekurudhave
Ervin KOÇI
Për të mos e lënë që të thuhet “na ishte dikur treni”, qeveria shqiptare ka hartuar një plan emergjence për shpëtimin nga degradimi total i hekurudhave shqiptare. Këto të fundit, si dhe shërbimi i transportit hekurudhor si për udhëtarët, ashtu dhe për mallrat, mbetet pika më e dobët e ekonomisë shqiptare. Ky sektor rezulton me humbje financiare 1 milion dollarë çdo vit, edhe pse shtetit i merr në formë subvencioni rreth 4 milionë dollarë dhe investime 3 milionë dollarë të tjerë. Sipas të dhënave të strategjisë së Ministrisë së Transporteve, miratuar vetëm rreth dy javë më parë në qeveri, shpejtësia e trenave në Shqipëri do të kapë normën 160 km/h brenda vitit 2020, dhe kjo vetëm në aksin Tiranë-Durrës. Për tre vitet e ardhshme, transportit hekurudhor do t‘i jepen nga buxheti i shtetit rreth 30 milionë dollarë mbështetje, tepër pak për nga rëndësia që ofron. Konkurrenca me transportin me goma është bërë “mbytëse” për hekurudhat shqiptare, ku edhe pse ato konsiderohen si transporti më me leverdi, në 12 vitet e fundit roli i tyre është zbehur fare dhe çdo transport, brenda vendit, si për mallra, ashtu dhe për njerëz, bëhet me atë mbi goma. Sot trenat në Shqipëri ecin me një shpejtësi rreth 35-40 km/h dhe kanë një çmim bilete (për udhëtarë) nga 70-300 lekë për linjat nga veriu në jug.
Investimi rimëkëmbës
Qeveria synon që të japë disa pjesë të hekurudhave shqiptare dhe të këtij shërbimi me koncesion për kompani të huaja, që kanë shfaqur interes për këtë sektor me rëndësi. Por deri në kohën që të përgatitet kuadri ligjor dhe terreni i përshtatshëm për dhënin me koncesion, qeverisë i duhet që të investojë miliona dollarë për rimëkëmbjen e këtij sektori. Në morinë e këtyre problemeve, MPPTT-ja ka miratuar muajt e fundit disa akte nënligjore dhe strategji të reja, duke e vënë theksin më së shumti te aksi Tiranë-Durrës, ku është e vendosur rreth 40 për qind e popullsisë së vendit. Gjatë këtij viti do të importohen dy njësi të trenave të tipit “automotricë”, që do të përdoren për udhëtime të shpeshta në këtë linjë. Gjithashtu do të merren masat që brenda një periudhe 2-3-vjeçare të instalohet sistemi i sinjalizimit, i cili do të garantojë lëvizjen e sigurt të trenave. Me rreth 10 milionë dollarë nga buxheti i shtetit parashikohet ndërtimi i linjës së re hekurudhore Lin-kufiri shtetëror-Strugë (Maqedoni). Për këtë linjë ka përfunduar studimi i fizibilitetit. Kjo linjë do të lidhë Maqedoninë Jugore me Portin e Durrësit. Lidhur me veriun, pritet modernizimi i linjës ekzistuese Tiranë-Bajzë-kufiri shtetëror me Malin e Zi, me gjatësi 140 km. Për linjat brenda vendit parashikohet modernizimi i linjës ekzistuese të Korridorit 8, Durrës-Vlorë-Rrogozhinë-Pogradec, me gjatësi të përgjithshme prej 230 kilometrash.
Studimi mbi hekurudhat
Gjatë viteve të fundit janë kryer disa studime në lidhje me gjendjen aktuale të hekurudhës dhe përcaktimin e strategjisë për të ardhmen, por projektet konkrete kanë munguar. Të gjitha studimet të çojnë në aksin Tiranë-Durrës dhe në linjën drejt Maqedonisë, duke kaluar përmes Elbasanit (linja e Korridorit 8). Ka edhe një studim për linjën drejt Malit të Zi, e cila aktualisht është në funksion për transport mallrash, por interesimi i privatit qëndron tek aksi i Maqedonisë, pas të cilës fshihet Bullgaria, Turqia etj. Aktualisht Hekurudha Shqiptare ka në inventarin e saj 66 vagonë udhëtarësh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva. Me këto mjete transportohen rreth 1.5-2 milionë udhëtarë dhe rreth 400-500 mijë tonë mallra në vit. Deri tani është ulur numri i punonjësve me rreth 4 herë në krahasim me vitin 1990; është bërë transformimi i Hekurudhës Shqiptare në një shoqëri anonime; është miratuar Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë në vitin 2004. Edhe pse miratimi i Kodit të ri Hekurudhor synon përafrimin e legjislacionit hekurudhor shqiptar me atë të Bashkimit Europian, duke lejuar operatorë të tjerë në treg, sektori vazhdon të ketë ende probleme të rënda.
Koncesioni, dy kompani të huaja, interes për hekurudhat shqiptare
Dy kompani të huaja, një çeke dhe një zvicerane, kanë shfaqur interes për marrjen me koncesion të hekurudhave shqiptare. Lajmin e ka bërë të ditur disa kohë më parë për mediat këshilltarja e kryeministrit për ekonominë, Suzana Guxholli. Sipas saj, kërkesat e investitorëve për të operuar në fushën e koncesioneve në sektorin hekurudhor janë në rritje. “Aktualisht janë dy kompani të mëdha, çeke dhe zvicerane, që kanë shprehur interes për koncesion në fushën e transportit hekurudhor. Ministria e Punëve Publike ka ngritur grupin e punës për këtë qëllim, për të vlerësuar treguesit teknikë dhe ekonomikë, dhe në ditët në vijim pritet të hapet tenderi për koncesionet në këtë fushë”,- u shpreh Guxholli. Këshilltarja theksoi se “duke e vlerësuar rrjetin hekurudhor si arterie kryesore që mbështet zhvillimin ekonomik të një vendi, kryeministri ka lobuar në vendet e rajonit për t’i paraprirë këtij procesi dhe lidhjes së Shqipërisë me vende ku kanë munguar këto linja”.
25 Mars 2009