RENEA kyç në pranga Afrim Hasanin, vrasësin e dy policëve të Kukësit
Dy inspektorët kishin denoncuar “për kundërshtim” personin që u mori jetën. Policia: 34–vjeçari, person me precedentë penalë dhe i dënuar më parë
Luan Kondi
Kukës – Është arrestuar pak pas mesditës së djeshme, autori i dyshuar i vrasjes së dy punonjësve të policisë rrugore në krye të detyrës. Policia e Shtetit konfirmoi për gazetën “Albania” se Afrim Hasani, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Shënmri të Kukësit, u arrestua falë një operacioni të zhvilluar në zonën përreth fshatit ku banon, pak kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja. Policia tha se i dyshuari nuk bëri rezistencë. Më parë forcat RENEA, që kryen operacionin në bashkëpunim me forcat vendore të policisë, e kanë marrë të dyshuarin dhe mësohet se e kanë sjellë atë në Tiranë në një paraburgim të sigurisë së lartë.
Ngjarja
Ka qenë ora rreth 21:00 kur në vendin e quajtur Shënmri, në lokalin e Isa Dobrushit, janë ekzekutuar me armë zjarri punonjësit e policisë, inspektor Shkëlzen Dobrushi, 29 vjeç, si dhe inspektor Ramadan Hila, 44 vjeç, të dy lindur dhe banues në Shënmëri, Kukës. Të dy viktimat ishin efektivë të Policisë Rrugore të Komisariatit të Kukësit. Ata u gjendën në këtë lokal në pritje të marrjes së shërbimit nga kolegët e tyre për të vazhduar patrullimin në aksin rrugor Shënmëri-Qafë Shllak. Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës ishte nën drejtimin e prokurorit të Rrethit Gjyqësor Kukës. Nga Tirana mbërritën edhe ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe prokurorë të Krimeve të Rënda. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se autori i kësaj ngjarjeje ishte Afrim Hasani, 34 vjeç, lindur dhe banues në Shënmëri. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Hasani ka qëlluar mbi policët me armë zjarri automatike, që e mbante pa leje. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit sqaroi se pak ditë më parë, pikërisht më datë 17.03.2009, autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, person me precedentë penalë, i dënuar më parë, është kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës nga dy inspektorët, që u gjetën parmbrëmë të vrarë, për “kundërshtim të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës së tjetrit”. “Ne besojmë se ky është shkaku dhe motivi i këtij krimi të rëndë”, - deklaroi Branko.
Operacioni
Forca të shumta policie, specialët e RENEA-s dhe grupet e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ngritur postblloqe të shumta për të arrestuar të akuzuarin si ekzekutor të dy policëve, Afrim Hasanin. Sipas burimeve policore, postblloqe të shumta u ngritën përgjatë rrugës nacionale Kukës-Tiranë, si dhe në akse të tjera të këtij rrethi. Autori ishte larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërkohë që drejt Kukësit u nis edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prençi. Sipas policisë lokale, tri ditë më parë është ushtruar kontroll në banesat e fshatit për armëmbajtje pa leje, përfshirë këtu edhe atë të autorit të krimit. Policia e Shtetit vuri 50 mijë euro në dispozicion të informatorit që do të ndihmonte në arrestimin e autorit të ekzekutimit të dy policëve si dhe numrat e telefonit 0694106303 dhe 0694106434. Nuk konfirmohet ende nëse shuma 50 mijë euro që akordoi policia ka vlejtur si burim dhënieje informacioni për kapjen e të dyshuarit.
Berisha ngushëllon familjet e policëve: “Vrasësi do të marrë ndëshkimin e merituar”
Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve dhe të afërmve të dy policëve, të cilët u vranë barbarisht në krye të detyrës. “Të dashur fëmijë, bashkëshortë, prindër dhe familjarë të inspektorëve, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, të rënë në detyrë. Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ju shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e jetës së prindërve, bashkëshortëve dhe bijve tuaj më të dashur, Shkëlzen Dobrushit dhe Ramadan Hilës. Rënia e tyre me nder në krye të detyrës, në mbrojtje të jetës, sigurisë dhe rendit të qytetarëve shqiptarë, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen tuaj të nderuar, por për të gjithë Policinë e Shtetit, Kukësin dhe mbarë Shqipërinë...”, - është shprehur Berisha.
Topi: “Rënia e policëve në krye të detyrës, humbje e madhe për vendin”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ngushëlloi dje, përmes një telegrami ngushëllimi, familjarët e punonjësve të policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, të rënë një ditë më parë në krye të detyrës, në fshatin Shënmri të Kukësit. “Të nderuar familjarë, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë për ndarjen e papritur nga jeta të të dashurve tuaj, Shkëlzenit dhe Ramadanit, të rënë teksa kryenin detyrën e tyre në mbrojtje të sigurisë e rendit të qytetarëve shqiptarë. Rënia në krye të detyrës e dy punonjësve të policisë është një humbje e madhe për familjet, por edhe për kolegët e të gjithë qytetarët e këtij vendi që mbështesin forcat e rendit në misionin e tyre të përditshëm në mbrojtje të rendit e të sigurisë së të gjithëve...” – thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.
Topalli në Kukës: “Shteti ka humbur dy policë, që punonin me besim”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte dje në Kukës për t’u shprehur ngushëllimet në emër të Parlamentit familjarëve të policëve të vrarë një natë më parë në krye të detyrës, inspektorëve Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila. Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar nga deputetë të këtij qarku, kreu vizita në shtëpitë e dy policëve të vrarë. “Ngjarja që ndodhi mbrëmë është shumë e rëndë jo vetëm për ju, qytetin e Kukësit, por për të gjithë Shqipërinë. Shteti ka humbur dy policë, djem të rinj, që punonin me besim për shtetin dhe ne të gjithë vlerësojmë maksimalisht sakrificën e tyre...”, -tha kryetarja e Kuvendit.
Rama: “Përballë krimit, të gjithë duhet të jemi një familje”
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, mësoi me keqardhje lajmin e hidhur për vrasjen e dy policëve në fshatin Shënmri të Kukësit. Në një mesazh ngushëllimi dërguar familjarëve të policëve të vrarë, kreu i Partisë Socialiste shprehu hidhërimin për ngjarjen e ndodhur dhe solidaritetin ndaj të afërmve të viktimave. Rama ka theksuar se ngjarja e mbrëmshme ishte një goditje për të gjithë, ndaj të gjithë duhet të bashkohemi kundër krimit. “U vranë dy shërbëtorë të shtetit. Përballë kriminelëve duhet të jemi të gjithë një familje”, - është shprehur lideri i partisë më të madhe të opozitës.
Xhufi: “Shteti t’u gjendet pranë familjeve të viktimave”
LSI-ja u shprehu ngushëllimet familjeve të dy policëve të vrarë në Rrethin e Kukësit. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se kjo ngjarje e rëndë duhet të shërbejë si ditë reflektimi për të gjithë shoqërinë shqiptare, për institucionet dhe në mënyrë të veçantë për të gjithë qeverinë, se lufta kundër krimit nuk është absolutisht një betejë e fituar, por ajo është një sfidë e përhershme. “Janë goditur dy qytetarë të ndershëm të këtij vendi, janë goditur dy punonjës dhe shërbëtorë të devotshëm në mbrojtje të ligjit dhe të rendit, pra është goditur vetë shteti...”, - tha Xhufi.
25 Mars 2009