BSH vijon tërheqjen e stimulit monetara
Paraja në qarkullim në Shqipëri u reduktua me 2.1 miliardë lekë në prill, si pasojë e politikës së Bankës së Shqipërisë për të tërhequr stimulin monetar që u dha bankave të nivelit të dytë vitin e kaluar. Lajmi bëhet i ditur nga bilanci mujor i BSH-së i publikuar së fundmi. Sasia e përgjithshme e borxheve që bankat e nivelit të dytë i kanë bankës qendrore, ra në 23.1 miliardë lekë. Këto borxhe qenë tërhequr nga bankat gjatë vitit të kaluar për të përballuar kërkesën e klientëve për tërheqjen e depozitave. Në kulm të krizës, sasia e përgjithshme e borxheve që njihen teknikisht si “stimuli monetar”, arriti në 38 miliardë lekë. BSH njoftoi fundin e politikës së saj lehtësuese për bankat në janar të këtij viti, kryesisht për shkak se nëse lehtësirat vijonin, atëherë inflacioni në Shqipëri rrezikonte të dilte nga kontrolli. Stimuli monetar qe një politikë e ndjekur nga shumica e bankave qendrore në të gjithë botën gjatë periudhës së krizës. Ajo konsiston në emision shtesë monetar, për të mos lejuar krizë likuiditeti në sistemin bankar. Në rastin e Shqipërisë, një pjesë e parave që BSH u dha bankave të nivelit të dytë, gjeti rrugën për t’iu kredituar qeverisë, gjë që uli efektivitetin e përdorimit të saj në ekonomi. Tërheqja e stimulit jep shpresa që zhvlerësimi i lekut kundrejt euros të mos vijojë më tej ose të përmbahet.
#