E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: I vendosur për të respektuar Kushtetutën

Deklarata Kryeministri ironizoi Ramën: I thanë paguaj darkën

Darka e Strasburgut ishte në sintoni të plotë me qëndrimet e mëparshme të Këshillit të Europës, ku spikati vendosmëria për respektimin e shtetit ligjor. Ky ishte reagimi i parë që solli Kryeministri Berisha menjëherë pasi mbërriti në Aeroportin e Rinasit, pas darkës në qytetin francez me kreun e opozitës, Edi Rama, dhe krerët e lartë të Komisionit dhe Parlamentit Europian. “Mund t’ju them se te të pranishmit, spikati vendosmëria për respektimin e plotë të Kushtetutës, kuadrit ligjor, vendimeve të gjykatave, në zgjidhje të këtij problemi. Pra ishte një sintoni dhe me deklarimet e mëparshme të Këshillit të Europës dhe deklaratave të përsëritura të Brukselit”, deklaroi kreu i qeverisë në lidhje me diskutimet politike që zgjatën për rreth katër orë në këtë darkë. Sipas këtij qëndrimi duket se kreu i qeverisë vijon të mos heqë dorë nga zgjidhjet që ai i ka ofruar edhe më parë opozitës në lidhje me procesin e bërjes së transparencës për zgjedhjet e kaluara zgjedhore. Por përveç politikës, Berisha ndau me gazetarët që e pritën në Rinas edhe perceptimin për darkën e tejkomentuar dhe për përshtypjet që i jep qyteti francez. “Darka në ‘Crocodile’ ishte një nga darkat më të shijshme. Pastaj unë jam edhe një person që e dua shumë Strasburgun, se është një qytet me një histori të mahnitshme. Por kjo nuk ishte një darkë ahengu, por një darkë pune”, nënvizoi kreu i qeverisë. Nga ana tjetër, Kryeministri nuk pranoi të komentonte asgjë që kishte të bënte me qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në këtë darkë. Gjithsesi Berisha nuk arriti të qëndronte larg një batute për kundërshtarin e tij politik. “Gjithçka lidhet me personin e tij, ju lutem priteni kur të kthehet dhe pyeteni atë. E tëra çka mund t’ju them për të është se, dëgjova një zë, që se nga erdhi, as vetë nuk e mora vesh që i tha, këtë darkë të takon ta paguash ti”, theksoi me ironi kreu i qeverisë. Sot, kreu i qeverisë pritet të japë një shpjegim të detajuar në lidhje me atë çfarë është diskutuar në tryezën e restorantit dhe qëndrimin e mazhorancës në lidhje me negociatat e mëtejshme mes palëve. Po kështu, burimet bëjnë të ditur se dje paradite, në Strasburg, kreu i qeverisë i shoqëruar nga shefi i kabinetit të tij, Oert Bylykbashi, zhvilloi takime me eurodeputetë të Partive Popullore Europiane në lidhje me atë çfarë ofron mazhoranca për zgjidhjen e kësaj situate.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›