E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmësmjekët, kriteret për të mbajtur postin

Infermierëve u vihen këmbët në një këpucë, të arsimohen ose të lirojnë vendin e punës

Nuk janë vetëm postet politike apo punët e rëndësisë së lartë, ato që të detyrojnë të kualifikohesh kohë pas kohe dhe të ndjekësh specializime në kuadër të edukimit në vazhdimësi.
Koha dhe kërkesat që ka sjellë sot jetesa, bëjnë që edhe për të qenë në një vend pune modest, të ndjekësh specializime, kurse e mbi të gjitha formime të cilësuara si “arsim i detyruar”. Në të kundërt rrezikon vendin e punës. Një urdhër i firmosur nga ministri i Shëndetësisë, detyron ndihmësmjekët, të ndjekin studimet, specializimet apo trajnimet e nevojshme për të qenë në koherencë me profesionin. Nëse këto procese nuk mbyllen brenda dy viteve, atëherë ata do të zëvendësohen me kontingjent të ri, të arsimuar, të cilët pavarësisht përvojës së pakët, plotësojnë kriterin e formimit dhe kushtin kryesor për të qenë të punësuar në një nga institucionet shëndetësore, parësor, sekondar apo terciar. Specializimet duhet t’i ndjekin të gjithë ata që sot ushtrojnë profesionin, në një nga institucionet shëndetësore në vend. Ndërkohë që sipas një vëzhgimi të “mishëruar” në rrjetin e të dhënave, që aktualisht ka Dikasteri i Shëndetësisë rezulton se infermierët më të dobët punojnë në spitalet e rretheve. Ata më shumë se të gjithë të tjerët duhet të mendojnë për kurse kualifikimi. Një tjetër mundësi që i jepet është arsimimi dhe formimi jo vetëm në institucionet arsimore publike, por edhe në ato private.

Pavarësisht urdhrit, lehtësira për të mos ndjekur specializim në pleqëri, do të ketë për ndihmësmjekët që janë afër pragut të daljes në pension, apo për ata që kanë përvojë në profesion.
Infermierët, mamitë dhe fizioterapistët, që shërbejnë në sistemin shëndetësor publik do t'i nënshtrohen procesit të edukimit në vazhdim, që shtrihet në disa vite.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka firmosur së fundi urdhrin për shkollimin e infermierëve me arsim të mesëm që duhet të inkuadrohen në profil profesional më të lartë.

“Urdhri për infermierët është në të njëjtën frymë me urdhrat e dhënë për mjekët, pavarësisht nga eksperienca e gjithsecilit. Në kursin e akreditimit dhe edukimit në vazhdim dhe marrjes së krediteve, janë përfshirë mjekë me eksperiencë nga më të gjatat. Pra, i gjithë sistemi është përfshirë në këtë proces dhe kështu është vepruar edhe për infermierët”, deklaroi dje në një konferencë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Kreu i Shëndetësisë sqaroi se për infermierët, duke njohur specifikat e tyre, opsionet janë më të mëdha, pasi mjekët kanë drejtim të përcaktuar. Për infermierët janë ofruar mundësi për një kualifikim që të kryhet në kohën më të shkurtër të mundshme, sipas opsioneve që do të zgjedhin vetë, në një nga institucionet e arsimit publik apo privat qofshin ato.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›