E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSPK kërkon të ndalet rritja e çmimit të miellit dhe bukës

Prishtinë, 12 gusht -  Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e vendit që të marr mbi vete përgjegjësinë dhe të gjejë një zgjidhje për çmimin e miellit dhe të bukës, që është duke u ngritur. Sipas drejtuesve të BSPK-së, ekzekutivi i vendi është dashur më herët të mendojë që të subvencionojë fermerët, në mënyrë që të ketë rendimente më të mëdha të grurit.
Haxhi Arifi, kryetar Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, gjatë një konferencë për media, ka thënë se në një gjendje në të cilën është popullata e Kosovës, punëtoria e Kosovës dhe në këtë krizë globale, kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të bëhet një kompensim, i cili do të zbuste varfërinë e skamnorëve, të cilët gjenden sot në Kosovë, raporton TV21.
Sipas tij, pak i është dhënë rëndësi prodhimit të grurit në Kosovë, dhe pak është subvencionuar, duke shtuar se BSPK-ja kërkon që Ministrisë së Bujqësisë t'i ndahen fonde, në mënyrë që të ndihmohen fermerëve privat, por njëkohësisht edhe atyre parcelave që janë ende si parcela në sektorin shoqëror, që të bëhet një subvencionim për fermerë që të prodhohet më shumë grurë në Kosovë.
Për më tepër ai ka shtuar se kjo ministri duhet të ketë një buxhet që të investojë në bujqësi që të subvencionon fermerët tek derivatet, tek plehrat, por njëkohësisht edhe tek elementet tjera që i takojnë bujqësisë për të prodhuar. Arifi ka shtuar se është një defekt i madh se në këtë drejtim është duke u punuar pak, sepse siç ka thënë ai, nga 110 mijë hektarë toka pjellore që mbilleshin me grurë, tani është zvogëluar kjo sipërfaqe drastikisht.
Arifi ka folur edhe për shpërndarjen e 20 përqindëshit, duke thënë se Bordi i AKP-së ka votuar një listë për 20 ndërmarrje të 20 përqindëshit që duhet të shpërndahen dhe së shpejti pas aprovimit të këtyre listave do të bëhet edhe shpërndarja. Sipas marrëveshjes dhe vendimit që e ka nxjerr AKP-ja, 75 për qind do të shpërndahen, apo më shumë ku nuk ka ankesa do të jetë 100 për qind.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›