E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSPK s’pret as sivjet miratimin e Ligjit të Punës

Qeveria ka paralajmëruar se Ligji i Punës do të miratohet brenda këtij viti, por drejtues të sindikatave thonë se “sipas disa informatave”, ligji nuk do të kalojë në Parlament, as sivjet, për shkak të kostos.

Ligji i shumëpërfolur, qe gjashtë herë ka shkuar në Kuvend, por është kthyer prapa. Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Hasan Abazi, thotë se vonesa e miratimit të këtij ligji bazik po i dëmton punëtorët, por edhe bizneset e ekonominë kosovare.

Abazi ka rikujtuar se Bashkimi i Sindikatave ka protestuar shumë herë, por edhe ka zhvilluar biseda me Qeverinë, me kërkesën që të miratohet një ligj i mirëfilltë i Punës. Aktualisht në fuqi ekziston një rregullore me 27 nene e UNMIK-ut, por ligj të duhur për punëtorët dhe punëdhënësit nuk ka.

“Që gjashtë herë shkon në parlament dhe kthehet, arsyet pse kthehet, nuk e dimë. Është e mundur të ketë një kosto, por ajo kosto nuk është aq e lartë që ky ligj mos të aprovohet”, ka thënë Abazi, për Kosovapress.

Ai ka deklaruar se ky ligj është bazik edhe për investitorët e huaj, ndërsa shprehet skeptik se miratimi i këtij ligji do të ndodhë sivjet. Ai thotë se BSPK-ja nuk i di arsyet e mirëfillta të zvarritjes. “Duhet të pyetni Parlamentin dhe Qeverinë...Komisionet tona kanë qenë prezente, kanë dhënë vërejtjet e veta, kemi qenë shumë aktivë dhe ne kemi planifikuar që në vitin që shkoi, pra më 2009, kjo punë të kryhet...Por për fat të keq, sipas disa informatave, do të shtyhet edhe këtë vit, nuk do të kryejë Parlamenti i Kosovës”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, sqaron se Banka Botërore ka insistuar për një riformulim të ligjit, andaj është e nevojshme të bëhet një konsultim final me Bankën Botërore që ky ligj të jetë i gatshëm për aprovim.

Por ndryshe nga sindikalistët, Rashiq beson se miratimi i ligjit do të ndodhë brenda këtij viti. “Unë maksimalisht kam me dhënë maksimumin që ky ligj të aprovohet nga Kuvendi dhe të implementohet nga Qeveria”, ka thënë ministri Rashiq, për KosovaPress.

Për implementimin e ligjit nevojitet një kosto rreth 60 milionë euro, ndërsa ministri Rashiq thekson se këto para janë të siguruara nga Banka Botërore.

Nga ana tjetër, kryetar i Bordit të Institutit “Riinvest”, Muhamet Mustafa, vlerëson se rregullorja ekzistuese e UNMIK-ut, më shumë i favorizon punëdhënësit sesa punëmarrësit.

“Është një ligj mjaft liberal. Është në favor më shumë, ndoshta të ndërmarrësve, sesa punëmarrësve. Dhe sigurisht ai mund të ketë nevojë që të rishqyrtohet”, ka thënë Mustafa.

BSPK-ja ka paralajmëruar një protestë gjatë muajit mars, dhe njëra nga kërkesat është miratimi dhe zbatimi i Ligjit të Punës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›