Ambasada gjermane, pajisje logjistike për sigurimin e kufijve
Ambasada gjermane i ka dorëzuar Policisë së Shtetit pajisje logjistike, pjesë një projekti që do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet doganave dhe policisë në luftën kundër krimit ndërkufitar.
Ditën e djeshme në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është zhvilluar, ceremonia e dhurimit të disa pajisjeve logjistike, si: automjeteve, mjeteve të kontrollit antikontrabandë, pajisjeve kompjuterike dhe programeve për analizën e informacionit kriminal, lexues pasaportash biometrike, pajisje për policinë shkencore për krimin elektronik, e pajisjen dhe vënien në funksionim të sallës së trajnimit për Policinë Kufitare në Vlorë. Dhurimi i këtyre pajisjeve bëhet në kuadër të mbylljes së fazës së dytë të Projektit “Mbi forcimin e kontrollit kufitar dhe drejtësisë penale në luftë kundër trafiqeve ilegale dhe krimit te organizuar në Shqipëri”. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, shprehu në emër të Policisë së Shtetit vlerësimet dhe konsideratat më të larta për bashkëpunimin disavjeçar me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për drogat dhe krimin në kuadër të këtij projekti. Nga ana tjetër z. Burgaj ka falënderuar gjithashtu qeverinë gjermane për mbështetjen e çmuar dhe kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë për policinë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për realizmin e fazës së dytë të këtij projekti të rëndësishëm, me një financim prej 632.000 dollarësh. “Një ndihmesë të vyer në këtë drejtim ka dhënë dhe implementimi me sukses i këtij projekti, i cili jo vetëm ka sjellë një kontribut mjaft të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, që përbën njëkohësisht dhe një nga prioritet e Policisë së Shtetit, por edhe ka ndikuar ndjeshëm në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe strukturave Doganore për luftën kundër krimit ndërkufitar”, – tha Burgaj. Vlerësime për këtë bashkëpunim janë dhënë edhe nga ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, i cili theksoi kontributin e këtij projekti në forcimin e kapaciteteve të strukturave vendore të policisë shqiptare në luftën kundër drogës dhe trafiqeve të paligjshme dhe e cilësoi këtë projekt tepër i rëndësishëm edhe për faktin se është domethënës për Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave në vitin e ardhshëm.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Endri Pema, vuri në dukje bashkëpunimin maksimal që ekziston mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe strukturave doganore në plotësimin e standardeve “Shengen”, menaxhimin e integruar të kufijve, si dhe implementimin e politikave për lëvizjen e lirë dhe luftën kundër krimit të organizuar.