E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai: Nuk mund ta fal vrasjen e tim biri

Avdyli ishte djali i vogël i Sefer Zallës, i cili punon si normist në departamentin e burimeve njerëzore të fabrikës, ku i biri humbi jetën tri ditë më parë. Ai ende është i mpirë nga dhimbja dhe nuk arrin ta besojë se i biri u vra teksa kalonte murin e fabrikës.
"Isha në shtëpi kur më njoftuan nga fabrika se djali kishte thyer këmbën dhe e kishin çuar në spital. Në Spitalin Ushtarak s‘më lanë ta shoh. Kur pashë policinë, kuptova se ishte shumë më tepër se kaq. Ma vrau kauri. Ai do të ketë qenë pa mend a i droguar kur ka qëlluar në një largësi 20-25 metra mbi djalin. Kjo nuk falet. E kisha djalin e vogël. Pikë të dobët. Më iku. Asgjë nuk falet. Edhe sikur të kishte vjedhur, unë do të shlyeja çdo gjë. Kam dhe një djalë 20 vjeç dhe vajzën studente, 22 vjeçe, për Gjeografi në Tiranë. Nuk ka një urdhër në fabrikë për të qëlluar mbi ata që duan të hyjnë në të. Vetëm nëse është dhënë ndonjë urdhër sekret dhe unë s‘e di", thotë i tronditur Seferi.
Ndërkohë, vëllai i 17-vjeçarit na tregon se shoku i tij prej disa ditësh është mbyllur në shtëpi dhe nuk pranon të tregojë detaje rreth asaj që ndodhi mbrëmjen e së dielës së kaluar.
"Askush nuk e ka takuar djalin që ka qenë bashkë me vëllain atë natë. Ai është mbyllur në shtëpi dhe nuk del nga frika", thotë 20-vjeçari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›