E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vikram Seth, Indiani milioner

Ka gjithmonë një motiv të rëndësishëm për të folur për Vikram Seth. Në radhë të parë, janë sukseset e tij letrare, librat e cilësuar nga publiku si "bestsellerë" me famë botërore "Djali i duhur", "Dy jetë", apo ai i vlerësuar nga kritika, "Golden gate", ku jepet historia gej e San Françiskos në soneta pushkiniane, apo stili i tij i jetesës si gej i deklaruar, por që kërkon të nxjerrë në pah lidhjet heteroseksuale: një sjellje e quajtur si ekscentrike për një njeri që e ka quajtur veten shumë të kënaqur nga ndryshimi i ligjit indian për homoseksualitetin, dhe që ka treguar se si në rininë e tij e ndjeu për detyrë që të mos tregonte për prirjet për të mos e bërë nënën e tij të ndihej keq, që në atë kohë ishte një person i shquar në Nju Delhi.

Romanet e tij kanë tendenca dhe dimensione epike, nga 1000 deri në 1500 faqe, dhe mbulojnë faza të ndryshme të historisë komplekse indiane, para dhe pas pavarësisë nga britanikët, para dhe pas ndarjes nga Pakistani. Por ajo që na shtyn më tepër të flasim për Vikram Sethin aktualisht, është suksesi i tij ekonomik: janë më shumë se dy milionë euro të derdhura nga "Penguin" për pjesën e dytë të epopesë së nisur me "Djali i duhur". Libri pritet të dalë në vitin 2013, me rastin e 20-vjetorit të pjesës së parë. Me një fytyrë të hequr dhe buzëqeshje verbuese, 57-vjeçari që ngjan jo më shumë se 30, konservator dhe poliglot (flet edhe kinezisht) ka gjallërinë e një studenti universitar: "Udhëtimet më mbajnë gjallë", thotë, "sidomos ato në të ftohtë", tregon duke iu referuar ekspeditës së tij në Antarktidë ku mori pjesë për të sensibilizuar opinionin publik për problemin e efektit serë.

Zoti Seth, thuhet se vazhdimi i "Djali i duhur", do të tregohet nga këndvështrimi i protagonistes Latas, që në moshën 80 vjeç vihet në kërkim të gruas së duhur për nipin e saj. Le ta kujtojmë subjektin për lexuesin. Në Brahpur, kryeqyteti i shtetit imagjinar të Purva Padeshuit, në vitin 1951, Rupa Mehra pas martesës së të bijës, Savita, po mendon të martojë vajzën tjetër, Latan. Por Latan ka vendosur të kundërshtojë: ajo dëshiron ta gjejë vetë burrin e saj...

Nuk është e thënë që historia të shihet nga këndvështrimi i saj. Unë si narratori i veprës mund të kufizoj mundësitë për të treguar perspektivën dramatike të një romani. Kështu që mendoj se këtë herë do të zgjedh një person të tretë për të dhënë një këndvështrim më objektiv të historisë.

Keni nisur ta shkruani?

Jo, akoma jam duke mbajtur shënime. Është një rrugë e gjatë. Me të vërtetë nuk e di ende si do të jetë ky roman. Por ka kohë. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të shkruaja 1500 faqe për "Djaloshi i duhur", por desha të fusja shumë elementë historikë me të cilët përshtatej subjekti dhe çuditërisht i kisha kaluar 1 mijë faqet.

Ju luani me çdo lloj zhanri letrar: poezi, ditarë udhëtimi biografi etj. Me cilin kriter e zgjedh gjininë e përshtatshme letrare?

Unë nuk zgjedh asgjë. Është gjinia ajo që më zgjedh mua. Le të themi që çdo herë frymëzohem nga spunto apo ide të ndryshme. Pikërisht këtyre ideve dhe spuntove u përshtaten tema të ndryshme letrare, me të cilat dashurohem herë pas here. Unë i adhuroj sfidat.

Ju keni studiuar në Oksford dhe Stanford, dhe sot e ndani kohën e lirë mes qetësisë së Salusbury dhe gjallërisë sw Nju Delhit, ku jeton familja juaj. E ndien veten anglez apo indian?

Sigurisht që indian. E njoh mirë Britaninë e Madhe për të cilën shkruaj. Duhet ta njohësh mirë një vend nëse do të shkruash për të. Por pastaj gjuha, luan rolin më të rëndësishëm. Jam rritur duke folur gjuhën indiane në shtëpi dhe anglisht në shkollë. Tani shkruaj në anglisht. Përkundrazi me familjen time në Indi, flasim gjuhën indiane.

Ligji mbi çiftet gej është modifikuar kohët e fundit në Indi. Do ta quanit një evolucion të vërtetë për zhvillimin e demokracisë? India është një vend konservator. Ligji i vjetër datonte 148 vjet më parë dhe dekretonte lidhjen mes dy personave të të njëjtit seks si një "akt ofensiv dhe kriminal". Ka shumë çifte gej në Indi, ashtu si kudo, por që nuk mund të lëviznin në brendësi të shoqërisë, pasi mund persekutoheshin, sepse lidhjet e tyre quhen "kundër natyrës". Pikërisht kjo gjë ndryshoi. Tani ka lindur nevoja që fronti konservator i shoqërisë të ndryshojë, të ecë përpara, por për këtë duhet kohë.

Aktualisht po asistojmë në një bum të letërsisë dhe kulturës indiane: Oskari dhe fama e filmit "The millionare", çmimi "Brooker" për Aravind Adiga, suksesi i autorëve si Vikas Swarup, Vikram Chandra...

Kjo është diçka e mirë për Indinë. Edhe pse rrezikon të jetë një sukses sipërfaqësor dhe i shpejtë. Kjo varet nga niveli i studimit në thellësi që individët i dedikojnë njohjes së kulturave dhe shoqërive të huaja.

Ju pëlqeu "The Millionaire"?

Shumë, u argëtova për disa orë. Është një përzierje kulturash pop, asgjë intelektuale, por njerëzit kanë nevojë të argëtohen. Historia të bën ta njohësh mirë Indinë, vendin ku zhvillohet filmi.

Ju udhëtoni shumë dhe shkruani shumë rreth tyre?

Më pëlqen të udhëtoj, kryesisht vetëm. Dua t‘i absorboj i vetëm detajet e udhëtimit dhe të zhytem mes botëve të reja kulturore. E kam më mirë sesa të shkëmbej idetë me një person tjetër. Varet edhe nga qëllimi i udhëtimit: në Antarktidë nuk mund të shkohet vetëm, për shembull. Për këtë arsye u bashkova me një ekspeditë, por ishte një grup artistësh, d.m.th kishim disa objektiva të përbashkët dhe mentalitet dhe mënyrën e të jetuarit të njëjtë.

Projekte për të ardhmen përveç "Djali i duhur"?

Të pikturoj. Kam pak që kam zbuluar pasionin për pikturën. Pak kohë më parë isha në Kenia dhe e kalova të gjithë kohën duke pikturuar. Është një aktivitet që më përthith krejtësisht dhe më kënaq shumë.

Do të shohim ndonjë ekspozitë tuajën së shpejti?

Jo, pikturoj për veten, të paktën për momentin. Pikturoj peizazhe apo portrete. Kur udhëtoj përdor ngjyra sintetike, për të mos ndotur dhomat e hoteleve apo të miqve të mi, por në shtëpi përdor bojëra vaji. Një mënyrë e mrekullueshme për të kaluar kohën, që më shpërqendron nga letërsia. Tani po mbaj shënime për romanin tim të ri pastaj do merrem vetëm me telajot e mia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›