E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai im, John Lennon

Sean Lennon jeton në një apartament të vogël në një nga lagjet e qeta londineze të Çelsit, e pagëzuar me emrin "World‘s End". Edhe pse ka ecur mbi gjurmët e të atit, është bërë një muzikant dhe kompozitor i zoti, për fat të keq koncertet e tij nuk kanë bërë kurrë bujë. Sot, në moshën 30-vjeçare Sean i ngjan më shumë se kurrë të atit, kur ai ishte në vitin 1969: ka të njëjtët sy të zinj pas syzeve rrumbullake, të njëjtën hundë, mjekër, madje të njëjtën mënyrë për të bërë rrathë tymi me cigaret. Vetëm në profil i dallohen tiparet japoneze të së ëmës, Yoko. Ka të njëjtën mënyrë të foluri si i ati dhe aftësinë për të bërë lojëra fjalësh. Zëri i tij i ëmbël me theks amerikan, duket sikur ndonjë herë merr theks anglez, pikërisht atë të Liverpulit, a thua se ndonjë grimë e pashkatërruar e John ka mbetur ende e rrënjosur thellë në personalitetin e tij.

Kur John u vra Sean ishte vetëm pesë vjeç, kjo ia vlen të përmendet, sepse është mosha kur fillon të formohet kujtesa. Sean thotë që para se të tregojë edhe një herë këtë histori, është përpjekur t‘i kujtojë sërish ato çaste të hidhura të cilat janë ngulitur thellë në kujtesën e tij. "Më kujtohet koha kur babai më mësonte të ndërtoja një aeroplan prej letre dhe më pas ta bëja të fluturonte. Edhe sot di ta ndërtoj ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë. Ashtu si ky kujtim që do më shoqërojë gjatë gjithë jetës, kam dëshirë të tregoj shumë të tjera, për shembull kur macja jonë, Liza, duke ndjekur një pëllumb ra nga dritarja dhe ngordhi. Ishte e para herë që e shihja tim atë duke qarë. Doja t‘u tregoja gjithashtu se shumë kujtime të miat kanë si sfond ujin. Besoj e kuptoni arsyen, sepse dija të notoja shumë mirë. Më kujtohet që në Cold Spring Harbor kishim një barkë të vogël me vela ngjyrë të gjelbër dhe unë e kisha quajtur ‘Flower‘ (lule). Mbaj mend një herë kur Fred Seaman e fundosi qëllimisht barkën dhe të gjithë që ndodheshin aty u zhytëm në ujë; si gjithmonë babi më qëndronte pranë, por u mërzita shumë për pantoflat që më kishin blerë në Japoni, sepse m‘i morën dallgët. I adhuroja, por babi më tha: Mos u mërzit, sepse do të të blejmë një palë të tjera... Pastaj për të larguar mendjen e pyeta: ‘A ka peshq në ujë?‘. Dhe ai u përgjigj me një ‘PO‘ të madhe duke më futur frikën. Megjithatë, nuk trembesha, sepse e dija që ai më mbronte. Më kujtohet që në shtëpi vishte gjithmonë një kimono me motive bardh e blu dhe flokët i mbante të lidhura si bisht kali. I binte kitarës dhe këndonte gjithmonë këngën: ‘Popeye the shilor man/ liqes on the Isle of Man...‘. I pëlqente të rrinte këmbëzbathur; nuk vishte kurrë këpucë, dhe kur e bënte, mbante pantofla. Vdiste të hidhej mbi krevat".

Sean thotë se një prej kujtimeve më të bukura që ai ruan është ëmbëlsia e zërit të John. "Çdo mbrëmje, kur shkoja për të fjetur, vinte në dhomën time dhe thoshte: ‘Na-tën e mi-rë Sean‘, duke ndezur dhe fikur dritën sipas ritmit të fjalëve".

Deri mëngjesin pasardhës Sean nuk dinte asgjë për vdekjen e të atit. Fillimisht nuk arrinte ta kuptonte arsyen pse shumë të panjohur me lot në sy iknin dhe vinin në shtëpinë e tij, mungesën e çuditshme të të atit dhe gjithë atë rrëmujë që ishte krijuar: postblloqet e policisë, prania e televizioneve të ndryshme, buqetat me lule, vajtimet e lamtumirës që shumë shpejt do të përhapeshin në të gjithë botën.

"Mbaj mend që dikush hyri në dhomën time dhe më tha se mami donte të fliste me mua, pastaj fillova të kuptoja atmosferën e çuditshme që ishte në shtëpinë time dhe turmën e madhe të njerëzve që qëndronin jashtë shtëpisë. Ime më qëndronte shtrirë në krevat e mbuluar me një batanije. Në dorë mbante një gazetë. Nga larg arrita të lexoj titullin e faqes së parë. Ndërsa qëndroja para saj, më tha: ‘Kanë qëlluar babin dhe ai ka vdekur‘. Më kujtohet që gjëja më e rëndësishme për mua në atë moment ishte që ajo të mos më shihte duke qarë. Pastaj pëshpërita: ‘Mos u shqetëso mama, ti je ende shumë e re dhe do të gjesh dikë tjetër‘. I thashë këto fjalë, sepse në moshën time m‘u duk gjëja më e pjekur".

Në ato ditë të tmerrshme që pasuan, ai fëmijë 5-vjeçar u ndje krejtësisht i vetmuar. "Pas ngjarjes, ime më ndihej jashtëzakonisht e lodhur. Më kujtohet që shumë njerëz përpiqeshin të më ngushëllonin. Prindërit e mi nuk kishin lidhje të forta familjare: ‘I kemi prerë marrëdhëniet‘, thoshte ime më. Por kjo as që më interesonte. Babai im kishte vdekur dhe unë nuk do ta shihja më kurrë. Ndihesha aq i vetmuar, sa askush nuk mund të më ngushëllonte".

Kaluan shumë vite kur Sean kuptoi se kush dhe çfarë kishte qenë në të vërtetë ajo figurë, që me flokët e lidhur bisht kali dhe pantoflat në këmbë, i mësonte veset e mira dhe i këndonte ninullat për ta vënë në gjumë. "Imazhin që kam për tim atë, e kam ndërtuar falë mediave, gjë që e ndaj edhe me pjesën tjetër të botës. Në një farë mënyre kur isha i vogël ndieja xhelozi që e gjithë e bota e njihte më mirë se unë dhe kishte kaluar më shumë kohë me të. Por imazhi i një personi që krijohet duke parë veprën e tij, as që krahasohet me atë që krijohet duke i ndenjur në krahë".

Dalëngadalë duke u rritur Sean kuptoi se mënyra më e mirë për t‘iu afruar të atit ishte të bëhej si ai. "Më kujtohet kur ulej para pianos, dhe kështu fillova të bëja edhe unë. Kur luaja në piano më dukej sikur komunikoja me të, sikur ishte një lutje e shenjtë, ose diçka e tillë. Sa herë që bëja një hap para në muzikë, më dukej sikur zhvillohej edhe lidhja me të. Tani, sa më shumë e kuptoj mënyrën e të bërit muzikë, aq më shumë më duket sikur e kuptoj atë, sepse John më shumë se gjithçka tjetër, ishte një kompozitor këngësh".

Edhe pse e adhuronte të atin, Sean nuk ia lejoi kurrë vetes të transformohej në një klon të John Lennon, siç bëri i vëllai, Julian, në mes të viteve ‘80. Muzika e tij ka të përbashkët me atë të të atit vetëm shpirtin humanitar. "Shpeshherë njerëzit mendojnë se unë përpiqem të distancohem nga John Lennon si muzikant, por nuk është kështu. Arsyeja e vetme që bëj muzikë është se edhe babai im ishte muzikant e kompozitor".

Gjykimi i tij mbi talentin muzikor të të atit do të pranohej edhe nga vetë John. "Mendoj se ai ndihej i pasigurt në gjithçka që bënte: gramatikë dhe shkrim, letërsi dhe kompozicion muzikor, mënyra për t‘i mësuar gjërat, por ky defekt iu kthye në avantazhin e tij. Shpiku këngën e pasigurisë: ‘I‘m a loser and I‘m not what i appear to be‘ (jam një i humbur dhe s‘jam ai që dukem), ose ‘Help!‘. Thoshte se vetë Bob Dylan do t‘i mësonte të shkruante jetën e tij të vërtetë, por Dylan nuk ka shkruar kurrë një këngë që të tregojë në mënyrë direkte emocionet e tij; Bob studion gjithmonë këngët e të tjerëve; pak a shumë luan rolin e gazetarit: nuk shpreh një gjykim moral, por regjistron dhe i jep zë diçkaje që ka kohë në qarkullim. Ky ka qenë edhe një aspekt i veprës së babait tim, por sipas meje, jo më e mira. ‘Give Peace of Ghange‘, është e mrekullueshme, por jo kënga që dua të dëgjoj kur kthehem në shtëpi; nuk është e bukur si ‘Yuo‘ve Got to Hide Your Love Away‘, ‘Girl‘, ose ‘In My Life‘. Për mua këto këngë janë në një nivel krejtësisht tjetër. Të shprehësh pasigurinë dhe ta vësh atë në diskutim, siç bënte im atë në këngët e tij, është një fenomen postmodern. Këtë ndjesi pasigurie, që më pas u përpoqën ta kopjonin shumë kantautorë të tjerë, e ka shpikur babai im".

"Beatles", thekson Sean, kanë qenë një trampolinë për njohjen John, edhe pse në fund jeta me ta u bë e padurueshme. "Nuk besoj se babai im do të bëhej komercial pa Paul dhe George Martin. Them komercial në kuptimin që nuk do të pëlqehej aq shumë nga masa. Nuk ishte ky specialiteti i tij. Mendoj se ishte shumë modern dhe stimulues, e këto dy gjëra jo gjithmonë koincidojnë me shijet e publikut. Për këtë arsye guxoj të them se ishte lezeti i grupit, bërthama, energjia shpërthyese, që i bëri ‘Beatles‘ të paarritshëm".

Sean pohon se nuk ka asgjë për të ndarë me ata që e transformuan të atin në një shenjtor laik. "Nëna ime nuk e kupton se përse nuk dëshiroj t‘i takoj personat që e adhurojnë John Lennon, ata që bëjnë koncerte në nder të tij ose të vizitoj muzeun ‘John Lennon‘. Thjesht sepse është shumë e dhimbshme. Të shoh një spektakël në Broduej dedikuar atij, është njësoj si të përshkoj i zhveshur flakët e ferrit. Për mua kujtimet e fëmijërisë janë të shenjta dhe shumë të rëndësishme. Ta shoh të ekspozuar në një muze, ose në një ‘muzikal‘ në Broduej, ndihem sikur të isha i dhunuar. Nuk jam ende gati të jap intervista, të përgatis ceremoni në nder të tij, të inauguroj muze dhe të shoh kujtimet e tim eti të transformuara në një ngjarje mediatike. Nuk lexoj asnjë libër që ka lidhje me të, nuk shoh asnjë film ose spektakël që i kushtohet atij. Nuk kam nevojë t‘i tregoj botës që ka bërë gjithë këto gjëra. Jam i bindur se po të ishte gjallë nuk do t‘i kishte pëlqyer që unë kam trashëguar damarin e tij rebel. Kam muzikën dhe kujtimet, që për mua janë shumë të çmuara. Kam John-in në zemrën time".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›