E Shtunë, 31 Tetor 2026

E kap duke vjedhur, roja plagos hajdutin

Një hajdut ka mbetur i plagosur nga një roje, teksa ai tentonte të vidhte në një firmë inertesh. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, ndërkohë që policia ka arrestuar të dyshuarin për vjedhje, por edhe rojën për plagosjen e tij. Sipas të dhënave policore, roja është arrestuar, pasi ishte i palicencuar për shërbim roje dhe e ka qëlluar me armë gjahu, të cilën nuk kishte të drejtë ta përdorte për gjë tjetër. Uniformat blu rrëfyen se rreth orës 02:10 janë njoftuar se te pika e inerteve "Albavia" në Kamzë, brenda territorit të firmës, roja i objektit, Besim Kodra, ka plagosur me armë gjahu Qamil Dodën, 47 vjeç, banues në Bathore. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Kamzës, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit, duke e dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më pas është marrë kontakt me rojën dhe është zbardhur e gjithë ngjarja. Sipas hetimeve, roja ka deklaruar se 47-vjeçari kishte hyrë në firmë dhe po vidhte kabllo të tensionit të lartë. Në ato momente e ka vënë re dhe ka qëlluar në ajër për ta trembur. Por 47-vjeçari nuk e ka lëshuar kabllon, duke tentuar të largohet me shpejtësi. Në këto kushte, roja ka qëlluar në drejtim të tij dhe saçmat e armës së gjahut e kanë plagosur atë. Më tej, roja ka shpjeguar se nuk ishte i licencuar si roje private, ndërsa armën e gjahut e kishte me leje vetëm për gjueti. Duke bërë dokumentimin e gjithë ngjarjes, policia ka vendosur arrestimin e të plagosurit dhe të rojës. Sipas të dhënave, i plagosuri u arrestua për vjedhje, ndërkohë që roja u arrestua për plagosjen e tij dhe përdorimin e armëve pa leje.

Ble.Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›