Babai dëshmoi për trafikimin e vajzës
Tiranë - Në Gjykatën e Krimeve të Rënda dje është dhënë një dëshmi se si dhëndri i trafikoi të bijën. Dëshmitari Hekuran M., për më shumë se një orë ka rrëfyer njohjen me të riun dhe më pas situatat që i është dashur të kalojnë si familje. Sipas dëshmisë, gati një vit pas ngjarjes, në vjeshtën e vitit 2003, familja e vajzës është vënë në dijeni se ajo ishte gjetur në Kosovë. “Vajza më tregoi se Artan Feriku e kishte marrë për grua. I kishte thënë se e kishte gruan e sëmurë. Ishin nisur në drejtim të Durrësit. Pas njëfarë rruge ai i kishte thënë se ai gruan nuk mund ta linte, por vajzën time mund ta çonte në Itali”, - dëshmoi i ati. Vajza i kishte thënë që në Itali kishte ca kushërinj, që nuk do ta linin pa e vrarë. Në vijim e kishte çuar te një lokal-karburant në pronësi të U. Vranës. Vajza i kishte thënë: “Do të më marrësh për grua, se në Itali nuk më çon dot”. E kishte lënë atë ditë aty. Të nesërmen personat që qenë në lokal kishin marrë në telefon Artan Ferikun dhe i kishin thënë: “Hajde merre vajzën”. Sipas dëshmitarit, Feriku ka shkuar, e ka marrë vajzën dhe e ka çuar atë tek lokali i A. Hoxhës dhe Gj. Xherakut. Ata mësohet ta kenë çuar Afërditën në shtëpinë e A. Hoxhës, ku nuk kishte njerëz të tjerë. Dy të sipërpërmendurit, për disa ditë me radhë kanë dërguar në shtëpi persona të ndryshëm me qëllim shitjen e saj si prostitutë.
27 Shkurt 2009