Mashtruan me dokumente false për pensionet, në akuzë nëntë shtetas
Tiranë – Prokuroria ka filluar procedurat penale për 9 shtetas, të cilët dyshohen se kanë përfituar pension pleqërie në mënyrë të paligjshme. Ata do të jenë tashmë nën akuzën e “mashtrimit nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve”. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur dje se për shtetasit Sabire P., 44 vjeçe, banuese në Peqin; Skënder S., 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Z. M., 71 vjeç, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “mitmarrje”, pasi me dokumente të falsifikuara për vitet e punës kanë përfituar në mënyrë të paligjshëm pension pleqërie. Gjithashtu, me këtë akuzë, specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e kryeqytetit kanë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë materiale hetimore në ngarkim të shtetasve: Osman P., 63 vjeç; Mine Q., 47 vjeçe; Qenan P., 44 vjeç; Ramazan K., 58 vjeç dhe Sefer T., 54 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, Bërxull e Bathore. Sipas burimeve të mësipërme, këta shtetas dyshohen të kenë falsifikuar dokumentet zyrtare, duke përfituar padrejtësisht pension pleqërie.
27 Shkurt 2009