E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika shqiptare, koha për ndryshim?



Zgjedhjet e përgjithshme janë pas katër muajsh, por ato ndihen shumë afër. Çdo ditë politikanët shqiptarë janë nëpër tribuna mitingjesh, nëpër sallat e qyteteve, duke mbajtur fjalime para grupeve zgjedhore.
Edi Rama, udhëheqësi plot ngjyra i socialistëve në opozitë, është duke theksuar frazat e librit me fjalime të Barak Obamës. Por, ndryshim mund të jetë gracka e zotit Rama për të sfiduar Sali Berishën, kryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike. Zoti Berisha ka qenë në zemër të politikës shqiptare që pas rënies së komunizmit në vitin 1991. Ata që lindën atë vit do të jenë tani votues për herë të parë. Ata nuk e kanë kujtesën e komunizmit, por gjithashtu, as kohën e fillimeve të zotit Berisha. Zoti Rama mendon se kjo është përparësi për të.
Sidoqoftë, zoti Rama nuk është tamam një figurë e panjohur në arenën politike. 44-vjeçari vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2000. Ai e transformoi qytetin. Ndërtimet pa leje që katranosnin qendrën e tij janë shkatërruar; pallate gri, të projektuara dhe pikturuara plot ngjyra, janë në përfundim e sipër të transformimit të sheshit “Skënderbej”, brenda zonës së këmbësorëve. Tirana nuk është më qyteti kaotik dhe i vjetruar i viteve ’90.
Një analist thotë se lufta midis zotit Berisha dhe zotit Rama është lufta midis politikanit populist të modës së vjetër dhe atij postmodern. Zoti Berisha nxjerr në pah te Partia Socialiste rrënjët komuniste. Zoti Rama thotë se ndonëse kundërshtari i tij fitoi në zgjedhjet e 2005-s me biletën e “duarve të pastra”, ai është bërë ”mishërim i korrupsionit”.
Por, zoti Berisha dhe mbështetësit e tij nuk i pranojnë të tilla akuza. Ata thonë se kryetari i Bashkisë është i mbrojtur nga mediat mike. Kundërshtarët përgjigjen se shtypi shqiptar ka lidhje me anëtarët e familjes së zotit Berisha, të akuzuar për përfshirje në thuajse çdo skandal të kohëve të fundit. Ish-ministri i Mbrojtjes është akuzuar për abuzim me pushtetin; ministri i Jashtëm është akuzuar për korrupsion. “Ndonjëherë ju nuk mund ta bëni vijën ndarëse mes shërbimeve publike dhe private”, - thotë Albert Rakipi, i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare.
Genc Pollo, zëvendëskryeministër, mbron rezultatet e qeverisë së tij. Ai thotë se Shqipëria nuk është vendi që ka qenë më parë. Vitin e kaluar rritja e GDP-së ishte 6 për qind. Madje, këtë vit ajo mund të jetë 4 për qind. Shkollat dhe rrugët janë më mirë.
Tashmë, kriza financiare është duke goditur industritë e fasonëve dhe minierave, ashtu si dhe nga ulja e të ardhurave të emigrantëve. Shqiptarët e nervozuar janë duke tërhequr kursimet nga bankat. Sondazhet janë të dyshimta dhe shpeshherë kontradiktore. Ajo çfarë është e sigurt është se kjo do të jetë një fushatë zgjedhore e pistë dhe rraskapitëse.

Marrë nga e përjavshmja britanike “The Economist”

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›