E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: PS po kthehet si shtëpia e Dash Pezës

Krizë në selinë ylberiste, pas përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë rrethesh. Ben Blushi: “Rama ka frikë nga humbja, prandaj po i përjashton kandidatët me vendime të montuara”

Pas përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë partie nëpër rrethe, s’kanë të reshtur reagimet e disa prej eksponentëve të PS-së. Pasi e pat vlerësuar në mbledhjen e kryesisë krejt procesin si një proces që dukej se s’po ndodhte në një kryesi partie, por tek shtëpia e Dash Pezës, një ditë më vonë, Ben Blushi, është ndalur në detaje, duke e arsyetua është më politikisht kundërshtimin e tij ndaj direktivave që po lëshon lart e poshtë Edi Rama. Për anëtarin e kryesisë dhe një prej figurave më të rëndësishme të selisë Rozë, Ben Blushin, Edi Rama ka qenë përjashtues për më shumë se gjysmën e propozimeve të bazës. Duke iu përgjigjur interesit e medias mbi zhvillimet e kësaj mbledhje, Blushi e cilësoi arbitrar dhe burokratikisht të montuar vendimin e marrë nga Rama. “Mbledhja e djeshme e kryesisë me la një shije të hidhur dhe të përsëritur. Vendimi i marrë është i padrejtë, arbitrar dhe burokratikisht i montuar. Më shumë se gjysma e kandidatëve të propozuar nga baza u kundërshtuan dhe një gjë e tillë i vë zgjedhjet e së dielës në rrezik. Në qoftë se i kërkojmë qeverisë zgjedhje demokratike dhe standarde atëherë dhe të shohim se vetë PS nuk po e bën një gjë të tillë në parti atëherë si do e bëjë kur të vijë në pushtet?”, u shpreh ai.
Ndërsa evidenton si problematike faktin se një proces i montuar si ai që kërkon të bëjë Rama rrezikon kohezionin në parti dhe për pasojë edhe zgjedhjet e ardhshme lokale, Blushi u ka bërë thirrje kandidatëve në rrethe që të ngrenë zërin e të mos lejojnë përjashtimin nga gara e së dielës. “Të bëjnë presion kudo që janë në mënyrë që të përfshihen. Janë hequr më shumë se 100 kandidatë. Të reagojnë dhe t’i kërkojnë PS të zgjidhen dhe të bëhet një proces demokratik. Po u bënë zgjedhjet si ato që u vendos dje, atëherë rriskohet kohezioni i PS për zgjedhjet lokale”, tha deputeti i socialist Ben Blushi.
Ligjvënësi opozitarë dhe përfaqësuesi i LMN-së, Blushi i është përgjigjur interesit të medias edhe në lidhje me vendimin e grupit kuvendor për t’iu rikthyer marrëdhënieve të kushtëzuara me parlamentin.
Sipas tij në rast të ndonjë bojkoti, partia e drejtuar nga Edi Rama do të futej në kolaps. “Bojkoti dëshmoi që ishte një instrument i pavlefshëm dhe doli një armë politike e pafrytshme. Po u përsërit atëherë PS futet në kolaps”, tha ai.
Lidhur me një bojkot të mundshëm Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme lokale të 2011, Blushi ju përgjigj duke thënë se, do të bëj ç’është e mundur që një gjë e tillë të mos ndodhë. Ai e konsideroi bojkotin si një anë politike të pafrytshme dhe nëse përsëritet do ta fusë PS-në në një krizë të re.
Valentina Leskaj: PS nuk mund të kandidojë për Tiranën Pjerin Ndreun, njeriun e përzënë nga LSI-ja/Por nuk është vetëm Ben Blushi që ka kundërshtime. Më eksplicite, edhe pse mjaft çuditshëm në pamje të parë, është shfaqur kundërshtimi i Valentina Leskajt, flakë për flakë, në momentet kur Edi Rama po lexonte kandidaturat që kishte zgjedhur vetëm vetë, për të konkurruar në procesin e së dielës për kryetar të PS-së së Tiranës. Ndaj kandidaturës së Pjerin Ndreut, një figurë shumë e kontestuar, gjatë kohës që ai militonte në Policinë e Shtetit, por edhe e polemizuar, ndërkohë që ai militonte në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Valentina Leskaj ëshët shprehur prerë se s’mund të mbështetet për kryetar partie të degës më të madhe të PS-së, njënjeri i cili ishte përzënë nga LSI. “Dihen arsyet që kanë të bëjnë me moralin politik dhe që sollën përzënien e Pjerin Ndreut nga LSI, ka deklaruar Leskaj. Kjo histori politike e vjetër dhe e re është e mjaftueshme që ne të na bëjë të arsyetojmë e të mos e mbështesim Pjerin Ndreun”. Ashtu si edhe në rastin e Ben Blushit, të cilin e cilësoi si të vetëpërjashtuar, edhe ndaj Leskajt, Edi Rama ka reaguar me mospërfillje, duke lënë qartë të nënkuptohej se ishte i gatshëm t’i merrte mbi shpinë të gjitha rreziqet që do të rridhnin nga dështimi i këtij procesi politik.
Reagimet e tjera të anëtarësisë: “Edi Rama po shkel statutin, procesi është i manipuluar”/Plasaritje serioze kanë pllakosur ditët e fundit Partinë Socialiste, teksa një ngërç i lindur pas një vendimi arbitrar të grupit parlamentar, rrezikon ekzistencën e kësaj force politike, e tendosur së tepërmi dhe e tkurrur nga elektorati. Kryesia e PS-së, e mbledhur dy ditë më parë, ka rrëzuar disa nga kandidaturat e propozuara nga baza, për kryetarë të partisë në rrethe. E ky fakt ka shkaktuar debate në mbledhje dhe pakënaqësi si në kryesi ashtu edhe në bazë. Kësisoj, baza socialiste e pakënaqur dhe e fyer nga vendimi, kërcënon me bojkot të procesit të zgjedhjeve në PS. Pas rrëzimit të afro 100 kandidatëve të selisë rozë, propozime këto të mbërritur nga baza, kjo e fundit s’po kapërdin dot shpërfilljen e kryesocialistit dhe i bën thirrje këtij të fundit të ndalë politikën autokratike, pasi në të kundërt do bojkotohen zgjedhjet e së dielës.
Përmes një qëndrim i unik dhe të palëkundshëm, socialistët në rrethe, duke dënuar politikën e mbrapshtë, siç e quajtën ata, të Edi Ramës, kërkojnë shmangien e një vendimi të tillë dhe kalimin e kandidaturave për zgjedhjet e së dielës. Por, nga selia rozë ende nuk ka dalë një vendim përfundimtar lidhur me rrëzimin e kandidaturave të bazës, pasi pas heshtjes së Edi Ramës, fshihet një tjetër mbi rrëzimin e çdo propozimi që vjen nga baza për interesat e partisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›