“Opozita po spekulon me sigurinë në vend, në mes të sezonit turistik dhe në prag të heqjes së vizave”
Lulzim Basha, Ministri i Brendshëm
Nga foltorja e Kuvendit, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, reagoi ndaj spekulimeve të opozitës për sigurinë në vend. Duke iu referuar një vrasje të ndodhur në një nga lagjet e Tiranës, deputetët e opozitës kurdisën një valë sulmesh ndaj qeverisë dhe institucioneve të ligjit. Ministri i Basha i konsideroi këto spekulime të rëndomta, në një kohë kur të gjithë indikatorët flasin për një përmirësim të thellë të nivelit të sigurisë në vend. Sipas ministrit, qëndrimi i opozitës është që të dëmtojë sezonin turistik dhe heqjen e vizave.
“Ju spekuloni me gjendjen e sigurisë në vend, kur të gjithë indikatorët tregojnë përmirësim të thellë të saj. Në mes të sezonit turistik dhe në vazhdën e agresionit tuaj kundër liberalizimit të vizave, ju ngrini tellall pas tellalli dhe falsifikim pas falsifikimi për gjendjen e sigurisë në vend”, tha ministri Basha, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.
Sipas tij, e vërteta për rendin në Shqipëri është certifikuar nga institucionet europiane dhe amerikane, të cilat edhe në raportet e fundit vlerësuan qeverinë për luftën efikase kundër krimit, dhe në veçanti, kundër trafikut të qenieve njerëzore.
Basha akuzoi më tej përfaqësuesit e opozitës se “ndërsa spekulojnë me shqetësimin e saj për rendin dhe sigurinë, ishte ajo që rekrutoi banditët e Zani çaushit dhe armatosi kontingjentet kriminalë”.