I shau nënën, mësuesi vret me breshëri kallashnikovi 43-vjeçarin
Një vit më parë, 34-vjeçari Tonin Gjoni e kishte sharë autorin Pëllumb Nika nga nëna dhe kjo gjë nuk ishte harruar prej tij, prandaj i zuri pritë dhe e qëlloi
LEZHË Vritet me një breshëri kallashnikovi një 34-vjeçar nga një fshat i Lezhës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shën Koll të Lezhës, kur një 34-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri Tonin Gjonin. Nga hetimet e para ka rezultuar se autor i kësaj ngjarjeje ka qenë mësuesi Pëllumb Nika.
Ngjarja
Sipas burimeve nga policia lokale mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, kur Gjoni ka qenë duke lëvizur me makinën e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qendër të fshatit Shën Koll, kur në afërsi të makinës së tij ka ndaluar një autoveturë dhe prej andej ka zbritur Pëllumb Nika 33 vjeç, nga fshati Gajush i Lezhës, ndërsa në dorë mbante një automatik. Me të zbritur në tokë, Nika i është drejtuar viktimës duke i thënë: “Më ke sharë nënën para një viti, atë e kam në tokë e aty do të të dërgoj edhe ty”. Më pas, menjëherë ka qëlluar me breshëri automatike mbi Tonin Gjonin duke e lënë të vdekur në vend. Kanë qenë dëshmitarët okularë, të cilët kanë lajmëruar menjëherë uniformat blu, që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Po kështu edhe një ambulancë ka shkuar për t’i ardhur në ndihmë 34-vjeçarit Gjoni, por duket se çdo gjë ka qenë e kotë, pasi ai ka dhënë shpirt për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë në trup dhe si pasojë e humbjes së madhe të gjakut.
Motivi
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia e Lezhës ka nisur marrjen në pyetje të dëshmitarëve okularë, të cilët janë përpjekur të hedhin më shumë dritë. Sipas dëshmive të tyre, mendohet që autori të jetë 33-vjeçari Pëllumb Nika dhe se mes tyre ka pasur një debat më parë dhe më pas ai ka qëlluar në drejtim të 34-vjeçarit duke zbrazur një breshëri kallashnikovi. Duke përfituar dhe nga errësira, ai është larguar dhe tashmë është shpallur në kërkim nga policia e Lezhës. Uniformat blu kanë nisur operacionin për kapjen e tij, duke ngritur dhe postblloqe të ndryshme në hyrje-daljet e fshatit Shën Koll. Ndërkohë është bërë dhe shoqërimi i tre personave të dyshuar, të cilët kanë deklaruar në polici vendndodhjen e tyre në momentin kur ka ndodhur vrasja. Sipas burimeve zyrtare të policisë, viktima ishte konfliktuar para një viti me autorin e krimit, ku për pasojë, Tonin Gjoni e kishte ofenduar në sy të tjerëve mësuesin Pëllumb Nika, duke sharë nënën. Ndërsa kishin hyrë njerëzit e ndarë ata në momentin e konfliktit. Por mësuesi duket se nuk e kishte harruar ofendimin që i kishte bërë Gjoni në sy të njerëzve dhe pas një viti është kujtuar, duke marrë armën e krimit dhe makinën, dhe pasi ka ndjekur lëvizjet e viktimës e ka qëlluar atë në qendër të fshatit Shën Koll, pikërisht aty ku edhe kishte ndodhur konflikti para një viti.