E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i adoleshentit: Djalin ma vranë mësuesit

Prindërit e 18-vjeçarit Mikel Ajce nga Bilishti, i cili u gjet i varur në litar pas përjashtimit nga shkolla një vit më parë, pretendojnë se djali i tyre është vrarë nga përfaqësues të stafit mësimdhënës. Ata kanë kërkuar nga ana e gjykatës rinisjen e hetimeve, pasi dyshojnë se djali i tyre nuk ka gjetur vdekjen si pasojë e vetëvarjes, siç konkluduan hetimet në kohën e ngjarjes, por është vrarë nga tre persona në ambientet e shkollës dhe më pas është inskenuar vetëvarja për të humbur gjurmët. Halim Ajce ka bërë një kërkesë për rinisjen e hetimeve pranë Gjykatës së Apelit, pasi Gjykata e Faktit në Korçë ka rrëzuar me vendim kërkesën e tij. Babai i gjimnazistit thotë se kërkon me insistim rihapjen e çështjes dhe nisjen nga e para të hetimeve mbi ngjarjen që solli si pasojë vdekjen e 18-vjeçarit. Ai thotë se disponon prova që i biri është rrahur në ambientet e shkollës për vdekje gjatë komunikimit të përjashtimit të tij nga shkolla. Ajce akuzon për këtë ish-drejtorin e shkollës ku studionte i biri, që sipas tij ka ushtruar dhunë fizike deri në atë masë sa djali ka ndërruar jetë e më pas për të humbur gjurmët e ka varur në një pemë, duke inskenuar vetëvrasjen. Në një seancë në Gjykatën e Apelit, ku ai ka kërkuar sërish rinisjen e hetimeve, Halim Ajce ka thënë se është dakord të kryhet edhe zhvarrosja e të birit për të hedhur dritë mbi dyshimet e tij. Gjykata e Apelit do të shprehet lidhur me një vendim për këtë kërkesë në datën 17 nëntor.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›