E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Reformat në drejtësi, në bashkëpunim me opozitën

Reformat në legjislacionin e drejtësisë duhet të realizohen në bashkëpunim me opozitën. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, gjatë një takimi me reporterët e Asamblesë Parlamentare të KE-së, theksoi se opozita nuk duhet të jetë e pranishme vetëm formalisht në Parlament, por ajo duhet të bëhet pjesë edhe e konsensusit politik për këto reforma. Ministri i njohu reporterët mbi hapat e ndërmarrë në kuadër të reformës në drejtësi, me miratimin e ligjeve shumë të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë në vend, si dhe hapat e reja që po hedh Ministria e Drejtësisë për të plotësuar rekomandimet e dala nga progres-raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë. "Aktualisht Ministria e Drejtësisë ka hartuar një draft mbi strategjinë e reformës në drejtësi, i cili ka nevojë për përmirësim, si dhe të diskutohet me grupet e tjera të interesit", tha ministri. Në kuadër të kësaj strategjie është miratuar ligji "Për organizimin e administratës gjyqësore", si dhe është në proces projektligji "Për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë". Ministri i njohu reporterët edhe për hartimin dhe miratimin e afërt në Parlament të ligjit "Antimafia", i cili është rindërtuar për shkak të disa problemeve që janë hasur në sekuestrimin e pronave të vëna në rrugë të jashtëligjshme pas një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë. Ky ligj, sipas ministrit, i bërë edhe me asistencën e misioneve ndërkombëtare, synon të ndajë hetimin penal nga hetimi mbi pasurinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›