Naço: Mandatet, do presim deri në muajin dhjetor
Kuvendi do të presë deri në muajin dhjetor për t‘iu drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të nisë procedurat e zëvendësimit të deputetëve aktualë. Edhe pse Kuvendi mund ta bëjë këtë veprim në këtë moment, duket se krerët e këtij institucioni kanë vendosur që të presin deri në fund të këtij sesioni parlamentar. Sipas Nasip Naços, nënkryetarit të Parlamentit ka indice se deputetët e selisë rozë do t‘i japin fund bojkotit në fund të vitit duke e renditur si një prej arsyeve përse kanë vendosur që të presin. Madje Naço nuk beson se çështja do të arrijë atje sa të nisin procedurat e zëvendësimit. "Nuk besoj se do të arrijmë deri te shterimi i listës së partive politike, pasi përpjekjet janë të gjithanshme që opozita të zërë vendin e saj në Parlament. Unë kam bindjen se brenda dhjetorit opozita do të zërë vendin e saj në Parlament", tha Naço. Në rast se bojkoti vazhdon, atëherë rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta janë të qarta. "Detyrimisht nëse do të vazhdojë me rrugën e bojkotit do të zbatohet si rregullorja e Parlamentit, si dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Parashikohet që deputeti duhet të vijë dhe të bëjë betimin. Në rast se ai i shmanget betimit, atëherë sekretariati i përkohshëm do t‘i drejtohet KQZ me një relacion për t‘i shpjeguar se një grup deputetësh apo një deputet i veçantë nuk pranon të bëjë betimin, detyrimisht do të zbatohet Kodi Zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve", tha Naço.
Sipas ish-kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, Kuvendit i lind e drejta që sot t‘i kërkojë KQZ-së, të nisë procedurat për zëvendësimin e deputetëve, të cilët nuk kanë bërë betimin pas mandatit të fituar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
A.Th.
Sipas ish-kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, Kuvendit i lind e drejta që sot t‘i kërkojë KQZ-së, të nisë procedurat për zëvendësimin e deputetëve, të cilët nuk kanë bërë betimin pas mandatit të fituar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
A.Th.