Zhduket denoncuesi i gjyqtarit të Elbasanit
Zhduket në mënyrë misterioze denoncuesi i gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, për të cilin KLD-ja vendosi heqjen e imunitetit, pas kërkesës së Prokurores së Përgjithshme Ina Rama. Burimet nga Prokuroria e Tiranës deklarojnë se denoncuesi me inicialet I.H., rreth muajit qershor të këtij viti ka depozituar në Prokurorinë e Elbasanit një CD me përgjime ndaj gjyqtarit Qani Hasa. Më pas, këto materiale i kanë kaluar prokurorisë së kryeqytetit, pasi dosja në Elbasan kishte konflikt interesi. Në kryeqytet u regjistrua një procedim penal, por imuniteti që mbante gjyqtari ia vështirësonte punën prokurorisë për zbardhjen e ryshfetit. Në këtë mënyrë, akuza qendrore iu drejtua KLD-së, e cila vendosi heqjen e imunitetit. Por, problemi i hetimit të kësaj dosjeje konsiston në faktin se denoncuesi është zhdukur. Sipas burimeve nga prokuroria, dosja është regjistruar pa emër denoncuesi dhe tashmë do të bëhen të gjitha verifikimet për gjyqtarin në fjalë. Hetuesit e çështjes deklarojnë se gjyqtari Qani Hasa është nën hetim për veprat penale të mitëmarrjes dhe ryshfetit. Prova kryesore është CD-ja me përgjime dhe filmime. Sipas prokurorisë dhe përmbajtjes së CD-së, gjyqtari Hasa mori ryshfet nga të njohurit e të burgosurit Geron Toska, i cili gjykohej për veprat penale të mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike. Shuma që ka kërkuar gjyqtari Hasa, sipas burimeve nga prokuroria, ka qenë tre milionë lekë (të vjetra). Pas paraqitjes së provave dhe fakteve që implikonin gjyqtarin në fjalë, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë votuar dy ditë më parë heqjen e imunitetit dhe pezullimin nga detyra të gjyqtarit Qani Hasa, duke i hapur rrugë Prokurorisë së Tiranës ta hetojë për veprën penale të korrupsionit pasiv dhe marrjes së ryshfetit.
"Organi i prokurorisë, mbi bazën e materialit kallëzues të një shtetasi, ka kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore në drejtim të fakteve të prezantuara, si dhe të identifikimit të personave të përfshirë në të. Hetimet e deritanishme të kryera prej njësisë Task-Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë hedhur dritë mbi një veprim korruptiv (marrje të një shume parash) të këtij gjyqtari nga familjari i një të pandehuri të arrestuar, në këmbim të një dënimi më të butë në raport me atë të kërkuar prej prokurorit të çështjes", thuhet në burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, gjyqtari, gjatë dhënies së një vendimi, ka përgjysmuar dënimin për Toskën nga 10 vjet që kishte kërkuar prokuroria, në 5 vjet burg. I dënuari ishte një person i arrestuar për veprën penale të mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike.
S.Ç.