Ish-policët: 5 muaj pa marrë asnjë lek
Ndërkohë që është shtyrë seanca e djeshme, mbi 5 mijë ish-punonjës policie po vuajnë pasojat e këtij ligji. Pavarësisht se premtimi u ishte bërë se nëse dilnin në reformë do trajtoheshin me pagë kalimtare deri në tre vjet, llogaritë e qeverisë shqiptare kanë dalë ndryshe. Pikërisht në muajin qershor, me hyrjen në fuqi të ligjit, marrëdhëniet e tyre financiare u ndërprenë dhe që prej pesë muajsh ata nuk përfitojnë asgjë. Madje, ata shprehen se ky ligj ka sjellë edhe një frymë mosbesuese te të gjithë shtetasit shqiptarë për të hyrë në radhët e policisë me qëllim mbrojtjen e qytetarëve, pasi vlerësimi për ta është në nivelin zero. Megjithatë, ata shprehen se nuk do ndalojnë asnjëherë, pasi dëmet ekonomike që u shkaktohen, jo vetëm atyre, janë tejet të rënda dhe që nuk mund të përballojnë jetesën për familjet e tyre. Gjithashtu, ata rikujtojnë fjalët e Kryeministrit shqiptar, kur premtoi se qeveria do jetë më pranë se kurrë për policinë shqiptare. E me ironi tregojnë se ky ligj (nuk) po i mbron efektivët e policisë, por po i nxjerr në rrugë. Madje, në historitë e tyre tregojnë se sot, që janë jashtë radhëve të policisë, përballen me njerëzit që për ta kanë qenë kontingjent, të cilët me përbuzje i ftojnë për të qëndruar me ta, pasi e dinë vlerësimin që u është bërë, pavarësisht kontributit të dhënë në radhët e uniformave blu për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për sigurimin e jetës së të gjithë qytetarëve.