Babai i katër fëmijëve hedh veten në erë me tritol
BULQIZË- Një 42- vjeçar, baba i katër fëmijëve nga një fshat i Bulqizës, i ka dhënë fund jetës pasditen e djeshme duke zgjedhur një mënyrë tepër tragjike. Ai ka ndezur një sasi tritoli dhe ka mbajtur eksplozivin në dorë deri sa i ka plasur. Shpërthimi ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 42- vjeçarit Gjetan Dema. Ende nuk dihen shkaqet e vërteta të kësaj vetëvrasjeje por të dhënat e para tregojnë për depresion të krijuar nga varfëria ekstreme dhe përdorimi i tepruar i pijeve alkoolike.
Sipas burimeve policore të Bulqizës, të cilat kanë shkuar në vendin e ngjarjes, Gjetan Dema ka qenë në shtëpinë e tij në fshatin Shupenzë, dhe është parë në depresion të thellë e me një shishe raki në dorë. Pasi ka dalë nga shtëpia, ai ka marrë dhe shishen e rakisë me vete dhe në cep të oborrit të shtëpisë ka ndezur tritolin. Kallëpin e eksplozivit e ka mbështetur në trup ndërsa me dorën tjetër mbante ende shishen e rakisë. Shpërthimi i tmerrshëm që ka hedhur në erë trupin e 42-vjeçarit ka tmerruar gruan dhe katër fëmijët e tij. Të katërt fëmijët dhe bashkëshortja e tij kanë dalë jashtë dhe kanë parë të masakruar trupin e Gjetanit në qoshen e oborrit të shtëpisë. Më pas në oborr kanë ardhur njerëz të tjerë të afërt, ndërsa është lajmëruar policia, e cila ka këqyrur vendin e shpërthimit ku është vënë re vetëvrasja e kryer në mënyrë tragjike nga 42- vjeçari.
Policia ka pyetur të afërmit e shtëpisë, gruan dhe të tjerë të afërm të shokuar nga vdekja e Gjetanit, ndërsa kanë rrëfyer gjithë ngjarjen kur ai ka pirë gjatë ditës dhe në një moment me shishe të pijes në dorë ka dalë nga shtëpia, por ata nuk e kanë marrë me mend se ai po kryente aktin e tmerrshëm të vetëvrasjes me tritol në trup. Vetëm pasi është dëgjuar shpërthimi i fuqishëm kanë kuptuar se diçka e rëndë kishte ndodhur me të, gjë që me të dalë në oborr u ka rezultuar një tmerr i vërtetë në sytë e tyre tek e kanë parë të shformuar trupin e Gjetanit nëpër oborr. Policia ende nuk ka dalë në një konkluzion të saktë nga ka ardhur kjo vetëvrasje,por mësohet se i zoti i shtëpisë, prind i katër fëmijëve, jetonte në skamje, i papunë prej vitesh dhe mendohet se gjendja e rëndë ekonomike ta ketë shpënë fillimisht tek pija ndërsa më pas deri në vetëvrasjen tragjike.