Sherri për pronën, tenton të vrasë kushëririn
ELBASAN- Kallëzimi i të dëmtuarit ka çuar në pranga kushëririn që akuzohet se kishte tentuar ta vriste pas një sherri për pronat. Ngjarja ka ndodhur një natë më parë kur afër mesnatës Seksioni i Krimeve kundër Personit pranë Drejtorisë së Policisë Elbasan ka arrestuar në flagrancë shtetasin Irakli Kerçyku, 64 vjeç, me banim në fshatin Gjinar të Elbasanit. Mësohet se pas një konflikti për kufirin e pronësisë, 64- vjeçari Kërçyku ka goditur me mjete rrethanore si gurë, drunj dhe mjete të tjera të forta shtetasin Roland Kërçyku, 31 vjeç, me banim në Gjinar. Mësohet se pasi ka marrë mjekimin në spital, i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka denoncuar dhunën e përdorur në polici. Mësohet se ndaj 64-vjeçarit ka nisur procedimi penal për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Ndërkohë policia ka proceduar edhe një tjetër shtetas pas një konflikti të regjistruar në Parkun Rinia të qytetit. Osman Mema 45 vjeç me banim në lagjen Kala ka goditur me sende të forta shtetasin Enea Alimllari, 19 banues në të njëjtën lagje. Mësohet se autori i ka shkaktuar dëmtime të lehta.
ELBASAN- Një 26- vjeçar ka rënë në prangat e policisë një javë pasi tentoi, së bashku me të vëllanë, të vriste kushëririn duke e përplasur dhe tërhequr zvarrë me makinë. Ismail Plaka është kapur në Maliq të Korçës gjatë orëve të natës me ndihmën e policisë së Korçës. 26- vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi në 7 gusht në bashkëpunim me vëllain e tij Xhevahir Plaka, 40 vjeç, ka tentuar të vrasë në bashkëpunim shtetasin Kastriot Bora, 37 vjeç. Dy vëllezërit akuzohen se goditën dhe më pas tërhoqën zvarrë 37-vjeçarin dhe akuzohen për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim të mbetur në tentativë. 37- vjeçari Bora pasi kishte pësuar dëmtime të rënda ka qëndruar për disa ditë në spital. Ai ka hedhur poshtë versionin e policisë për vrasje me dashje duke e cilësuar ngjarjen aksidentale dhe pasojë e gjendjes së dehur të kushërinjve të tij.
-----------------------------------Flakët e zjarrit i janë afruar shtëpive të banuara dhe fabrikës por fatmirësisht nuk kanë prekur asnjërën prej tyre
Elbasan, zjarri rrezikon fabrikën e çimentos
ELBASAN- Një vatër e re zjarri është regjistruar në Elbasan ku kodrat e fshatit Balëz janë përfshirë nga flakët të ndihmuar edhe nga era. Brenda një kohe të shkurtër zjarri i është afruar zonës ku ndodhet fabrika e Çimentos dhe disa shtëpive të banorëve të zonës. Por me ndërhyrjen e zjarrfikësve me mjete rrethanore, zjarri nuk i është afruar ndërtesave. Mësohet se flakët kanë përfshirë rreth 30 hektarë sipërfaqe me shkurre. Rreth 30 efektiva zjarrfikës në bashkëpunim me banorët e zonës kanë arritur që brenda 7 orëve luftë të arrijnë të izolojnë shpërndarjen e flakëve duke arritur deri fikjen e tyre. Fatmirësisht dëmet e shkaktuara nga zjarri kanë qenë vetëm sipërfaqe me kullota dhe nuk ka pasur dëme materiale dhe në njerëz. Burime nga zjarrfikëset bëjnë të ditur se situata ka qenë problematike pasi zjarri kishte rënë afër objekteve dhe zonave të banuara por me ndërhyrjen fizike të zjarrfikësve, pasi për mjetet ishte e pamundur, u arrit që brenda disa orëve të arrihet fikja e zjarrit. Bilanci paraprak i dëmeve të shkaktuara nga zjarri në zonën e Elbasanit është me qindra rrënjë ullinj dhe dru frutorë, si dhe drurë pishash por fatmirësisht nuk ka pasur banesa të djegura, njerëz të dëmtuar dhe objekte të rrezikuara. Mësohet se dy muajt e fundit janë regjistruar rreth 30 vatra zjarri nga të cilat 10 kanë qenë problematike.